Analizë e gjerë rreth vakëfit te hotel “Rozafa”
Paraditën e së xhumasë, më 26 korrik 2024, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar edhe nga administratori i Myftinisë, z. Sajmir Dritareti, dy menaxherët e pronave, z. Blendi Alushi dhe z. Syrgen G Cani, si dhe avokati, z. Bashkim Muslija, morën pjesë në analizën urgjente të thirrur nga Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në Tiranë, në lidhje me dosjen “Rozafa”.
Gjatë analizës së gjerë, u theksua kalvari i gjatë i përpjekjeve dhe angazhimit sistematik të Myftinisë Shkodër, nga viti 1994 e deri më sot, për kthimin në identitet të kësaj prone të shenjtë të grabitur padrejtësisht dhe të keqtrajtuar në dëm të Myftinisë Shkodër nga institucionet përgjegjëse.
U vu në dukje lista e gjatë e gjyqeve të fituara, por edhe e pengesave të shumta dhe padrejtësive të bëra në hak të këtij vakëfi gjatë këtyre dekadave.
U diskutuan mënyrat e operimit për mos lënien e kësaj të drejte të shenjtë pas dore dhe hapat që duhen ndjekur për arritjen tek e drejta legjitime, e mohuar padrejtësisht gjatë kësaj periudhe të gjatë kohore.
U theksua se vakëfet janë kufi i kuq dhe se moszgjidhja e kësaj çështjeje madhore për bashkësinë tonë, deri më sot, përbën një hendek paradoksal, që i mohon të drejtën legjitime pronarit, si dhe krijon situata të padrejta, me të cilat po përballemi prej më shumë se tre dekadash.
U ngrit një grup pune, nën drejtimin e Drejtorit të Vakfeve në KMSh, z. Erlis Mosha, si dhe u kërkua që të mos heshtet në përpjekjet zyrtare për arritjen e qëllimit final.