Kryeprokurori i Vlorës Aurel Zarka ra në pranga ditën e sotme me urdhër të Prokurorisë së Posaçme për veprën penale “Ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Zarka dyshohet se është vënë në pranga për shkak të dosjes ‘Toyota Yaris’, por SPAK ende nuk ka reaguar për arrestimin.
Por kush është prokurori Aurel Zarka?
Aurel Zarka e ka filluar karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 2004 pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai u emërua prokuror në vitin 2012 dhe prej asaj kohe e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit të Vlorës.
Në deklarimin për herë të parë në vitin 2004, prokurori Aurel Zarka deklaronte pjesë takuese në pasurinë familjare me vlerë 13 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2019, pasuria e tij familjare kap vlerën e 43.6 milionë lekëve. Ai zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme të deklaruar në vlerën e 29.7 milionë lekëve, likujditete bankare me vlerë 12.2 milionë lekë, kursime në cash prej 1.2 milionë lekësh si dhe automjet me vlerë 500 mijë lekë.
Të ardhurat familjare gjatë periudhës deklaruese janë 34.4 milionë lekë, nga të cilat 30% kanë si burim pagën e subjektit, 31% të ardhurat e familjarëve dhe gati 30% nga shitja e pasurive të patundshme. Drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka u konfirmua në detyrë nga KPK vetëm një muaj më parë, më 28 qershor 2024.
Ndaj tij kishte gjithsej 4 denoncime të dorëzuara në Komisionin e Posaçëm të Kualifikimit nga qytetarët. Por në seancën e këtij komisioni, Zerka për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin u vlerësua pozitivisht.