Shkelqim Domi dhe Saimir Sallaku të cilët mashtronin duke përfituar para në emër të kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu, dolën para gjykatës. Mësohet se prokuroria e Lezhës kërkoi që Domi 35-vjeç dhe Sallaku 37-vjeç të qëndrojnë në burg pa afat, por pasi dëgjoi palet gjyqtari caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” vetëm për Domin.


Kështu, arrestimi i 37-vjeçarit u cilësua i paligjshëm dhe gjykata urdhëroi lirimin e menjehërshëm të tij me argumentin se nuk ka prova që e implikojnë në këtë veprimtari.


Të arrestuarit Shkëlqim Domi dhe Saimir Sallaku, të dy banues në Shijak, bashkëpunëtori i tyre, Shefik Kurti, 63-vjeç, përmes aplikacionit “Signal”, hiqeshin si përfaqësues të institucioneve vendore, dhe kontaktonin persona të ndryshëm nga të cilët përfitonin shuma parash.

Ata u arrestuan më 23 Korrik nga policia, pasi mashtruan biznesmenin Ylli Ujkaj njëherazi edhe presidenti i ekipit të basketbollit ‘Besëlidhja’. Mësohet se ata kanë komunikuar me biznesmenin përmes aplikacionit ‘Signal’ dhe i janë prezantuar atij si Pjerin Ndreu dhe i kanë kërkuar 15 mijë euro. Ai ka rënë pre e këtij mashtrimi dhe më datë 14 korrik u ka dorëzuar atyre 15 mijë euro.