Gjyqtari i 21 janarit, Besnik Hoxha është përjashtuar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Kolegji I Posaçëm të Apelimit vendosi sot që gjyqtari i Tiranës, Besnik Hoxha të përjashtohet nga drejtësia.


Vendimi i KPK-së për të konfirmuar Hoxhën u kundërshtua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe më pas u ankimua nga Komisioneri Publik, i cili pretendon se vendimi i KPK-së është i cënueshëm në të tri kriteret e rivlerësimit. Sipas KPA, Hoxha ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë.

Hoxha kryesoi më 8 shkurt 2013 trupën gjykuese shpalli të pafajshëm ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo për 4 vrasjet e 21 janarit. Ndërkohë 21 janari po hetohet nga SPAK si krim i pazbardhur shtetëror ashtu siç Strasburgu e vlerësoi, por Gjykata e Tiranës në 2013-ën e shpalli Ndrean dhe Prendin të pafajshëm, të cilët më pas u dënuan në Apel.


Probleme me pasurinë

Gjyqtari Hoxha në maj të vitit 2023 u la në detyrë nga KPK me shumicë votash, por ky vendim u kundërshtua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe më pas u ankimua nga Komisioneri Publik. Përfundimit KPA e largon Hoxhën nga drejtësia për problemet me pasurinë, pasi sipas Komisionerit Publik Hoxha ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm.

Sipas Komisionerit Publik, lidhur me një godinë banimi në Shkodër me 3 kate të gjyqtarit Hoxha, ka mospërputhje për kohën e ndërtimit dhe se subjekti rezulton me bilanc negativ në shumën 3.2 milionë lekë për mbulimin e kostove të ndërtimit.

Sa i takon një apartamenti në Tiranë të deklaruar si adresë vendbanimi nga Hoxha, Komisioneri Publik ka argumentuar se ka dyshime se gjytari ka dashur ta fshehë këtë pasuri, pasi disa herë janë ndryshuar porositësit. Po ashtu, u konstatua se nuk është provuar mundësia e një huadhënësi për t’i dhënë subjektit vlerën 107 mijë euro në vitin 2011. Komisioneri pretendoi se për këtë pasuri, Hoxha më së paku, është përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë.


Komisioneri Publik vlerësoi se Hoxha ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm dhe për shpenzimet e udhëtimeve, si edhe mosdeklarimin e një mjeti në përdorim.