Alen Sherri ka gjetur akordin dhe për tre sezonet e radhës do jetë portieri i Cagliarit në Itali. Klubi i Serie A do paguajë 350 mijë euro në arkat e Egnatias, me klubin rrogozhinas që ka mbajtur edhe 40 përqind të pronësisë së gardianit dhe në rast të një tjetër shitje do marrë pjesën e duhur.


Për të zyrtarizuar largimin ka menduar edhe portieri Sherri, i cili në kanalet e komunikimit i ka falenderuar të gjithë, duke shpërndarë edhe foto me trofetë e fituar.

“Nuk di nga të filloj të flas për dy vitet e kaluara. Dy vite plot miqësi, vëllazëri, fitore, besim, mbështetje, humbje, trishtime, të gjitha së bashku. Sot fillon një eksperiencë e re për mua dhe doja që fillimisht ta nisja duke falenderuar pa përjashtim të gjithë ata të cilët besuan te unë dhe më mbështetën gjatë gjithë këtij rrugëtimi në klubin Egnatia”, shkruan Sherri.


Më pas portieri 26-vjeçar nuk lë pa përmendur edhe kalimin te Egnatia, që para dy sezonesh nuk mendohej se do fitonte titullin në Superligë.

“Jam shumë i lumtur për faktin që të gjithë se bashku arritëm gjëra të mëdha dhe të shkruanim histori edhe pse të paragjykuar si një qytet i vogël. Faleminderit K.F. Egnatia”, shkruan mes të tjerash portieri shkodran.

Kujtojmë se Sherri është pjesë e kombëtares shqiptare dhe ky transferim në Serie A do i japë pikë shtesë për një vend mes kuadratit kuqezi.