Ditën e sotme SPAK urdhëroi që të kryhen kontrolle në banesën e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj në Vlorë. Në lidhje me kontrollin u raportua se është dashur ndërhyrja e forcave zjarrëfikëse për hapjen e derës së banesë. Ndërkohë disa orë pas raportimit për këtë kontroll mësohet se ka përfunduar ky kontroll.
Kontrolli në shtëpinë e ish-ministrit ka nisur rreth orës 15:30 minuta ndërsa oficerët e SPAK kanë lënë banesën e Beqajt me disa dosje, shkresa nëpër duar. Nuk dihet çfarë kanë kërkuar të gjejnë dhe çfarë ka marrë në banesën e Beqaj. Raportohet se është vendosur shiriti “Mos kalo”.
Ilir Beqaj u arrestua më 4 korrik të këtij viti dhe veç tij në pranga u vu dhe Ermal Kurtulaj, krahu i tij i djathtë dhe Alfred Nikolla. Beqaj u arrestua lidhur me shpërdorimin e fondeve të BE-së, përmes agjencisë SASPAC, të cilën ish-ministri i Shëndetësisë e drejtonte, edhe pse më parë ndaj tij, SPAK kishte nisur hetimet lidhur me koncesionet në shëndetësi. Përmes një deklarate, SPAK sqaroi se nga hetimet rezultoi se kur drejtonte Agjencinë SASPAC, ka ngritur skemë përfitimi me fatura dhe procedura prokurimi fiktive, duke zhvatur fondet e BE (Programi IPA II).
Sipas Prokurorisë së Posaçme, fondet për aktivitetet e agjencisë SASPAC shkonin te fituesit e paracaktuar sipas urdhrave dhe direktivave që jepte Beqaj. Në funksion të kësaj skeme, thotë SPAK, Beqaj ka bashkëpunuar me Ermal Kurtulaj, financieri dhe bashkëpunëtori i ngushtë i tij. Restoranti “Gzona’ brenda në Kalanë e Tiranës, sipas SPAK, ndonëse ka për administrator një person tjetër, është pronë e fshehur e Beqajt. SPAK thekson se Beqaj ka investuar te restorant “Gzona” prej vitit 2019 shumat 21 411 euro dhe 4 666 110 lekë të reja për blerjen e pajisjeve dhe 34 783 euro si shpenzime qiraje.