Pasi vula e Partisë Demokratike i kaloi Sali Berishës, Lulzim Basha po vijon betejën ligjore. Siç e pati paralajmëruar, ditën e sotme i është drejtuar Gjykatës së Lartë me një rekurs mbi çështjen e vulës dhe kërkon kthimin e saj sërish tek grupimi i tij.


‘Sot dorëzojmë rekursin në gjykatën e Lartë për vendimin e Apelit. Jo vetëm që është vendim i paligjshëm, por mbart element të veprës penale të falsifikimit të dokumenteve. Do t’i kërkojmë gjykatës së lartë të mos flejë mbi këtë dosje, por të veprojë me urgjencë.’- tha Basha sot në një konferencë për mediat.

Në rekursin prej 69 faqesh, Basha i drejtohet Gjykatës së Lartë me 4 kërkesa, fillimisht pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë që i dha vulën Berishën. Përmes kësaj pike, Basha kërkon që deri në shqyrtimin e rekursit, vula të mos përdoret as nga pala e Berishës. Më tej, përmes këtij rekursi, Basha kërkon prishjen e vendimit të Zhukrit të 23 marsit 2022 që i dha vulën Berishës, prishjen e vendimit të Apelit që la në fuqi Shkallën e Parë, si edhe pushimin e gjykimit.

Këto kërkesa Basha i bazon në disa argumente, ku më kryesorja është se sipas tyre Komisioni i Rithemelimit nuk ka pasur asnjë tagër përfaqësimi në këtë çështje dhe se kemi të bëjmë vetëm me një palë, Partinë Demokratike që përfaqësohej nga Enkelejd Alibeaj.

Më tej thuhet se në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë nuk ka asnjë organ të emërtuar Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit. Rezulton e provuar që mbledhja e “Kuvendit të PDSH-së” të datës 11.12.2021 është bërë në kundërshtim të hapur me dispozitat e Statutit të Partisë Demokratike.

Disa prej konkluzioneve në rekursin e Lulzim Bashës

1-Rezulton e provuar që ankimi i paraqitur nga Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Enkelejd Alibeaj i plotëson parakushtet formale për tu pranuar si një mjet ligjor si përfaqësues i subjektit Partia Demokratike e Shqipërisë.

2-Tagrat e përfaqësimit të Nënkryetarit Enkelejd Alibeaj nuk kanë mbaruar në asnjë moment në kuptim të nenit 76 të Kodit të Procedurës Civile.

3-Rezulton e pranuar gjyqësisht si në gjykimin në Apel dhe në Gjykatë të Lartë që kemi të bëjmë me një palë dhe konkretisht Partia Demokratike e Shqipërisë.


4-Rezulton e provuar gjyqësisht që tagrat e përfaqësimit të PDSH-së i kanë pasur Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeja në vijimësi dhe se KPR nuk ka pasur në asnjë moment të vetëm tagra për përfaqësimin e PDSH-së.

5-Rezulton e provuar që as në Statutin e PDSH-së të vitit 2018 të regjistruar në 13.07.2021 dhe në Statutin e PDSH të miratuar në 17.07.2021 dhe të pa pasqyruar në regjistrin e partive politike në momentin e shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë nuk ka asnjë organ të emërtuar Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit. Rezulton e provuar që mbledhja e “Kuvendit të PDSH-së” të datës 11.12.2021 është bërë në kundërshtim të hapur me dispozitat e Statutit të regjistruar të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe më konkretisht atij të vitit 2018 dhe të regjistruar në 13.07.2021.

6-Gjykata ka legjitimuar kërkuesin përpara se të vendoste për ligjshmërinë e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, Kuvend në të cilin është krijuar kërkuesi si organ statutor i ngritur në kundërshtim me dispozitat e te gjithë akteve staturore në diskutim në këto diskutime.

7-Gjykata ka vepruar në kundërshtim të hapur me nenin 392 të Kodit të Procedurës Civile, ndonëse kishte dijeni për ekzistencën e interesit të ligjshëm të një pale tjetër në gjykimin për vërtetimin e faktit juridik.

8-Përfaqësuesi i kërkuesit është legjitimuar në gjykim në kundërshtim me dispozitat e nenit 72 të Kodit të Procedurës Civile, Akti i përfaqësimit të përfaqësuesit të KPR eshtë lëshuar në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Proçedurës Civile Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka gjykuar pa pasur të administruar dhe pa u njohur me dosjen e regjistrimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë.


9-Formularët mbi të cilët pretendohet së është bërë thirrja e Kuvendit Kombëtar, në momentin e nënshkrimit të tyre nuk kishin në brendësi të tyre datën dhe orën e thirrjes së Kuvendit Kombëtar: se këto të dhëna janë vendosur në një moment të mëpasshëm kohor në mënyrë mekanike të njëjtë për të gjithë formulartë. Ky fakt cënon plotësimin e kushtit të vullnetit të kërkuesve për datën e thirrjes së Kuvendit Kombëtar.

10-Nuk ka një organ administrues të procedurës së mbledhjes së formularëve, të hartimit të listës së përgjithshme të delegatëve, të lëshimit të mandateve të Kuvendit Kombëtar apo të drejtimit të fillimit të punimeve të tij.

11-Propozimet që i janë adresuar Kuvendit Kombëtar janë në kundërshtim me dispozitat statutore që rregullojnë ndryshimet e statutit.

12-Me miratimin e ndryshimeve statutore, pjesa e mbetur e vendimeve të marra nga Kuvendi Kombëtar nuk ishin më kompetencë e tij. Kuvendi i mbledhur duhet të shpërndahej e të mblidhej Kuvendi i ri sipas parashikimeve të Statutit të miratuar. Komisioni i Rithemelimit nuk ka tagra përfaqësimi në Gjykatë e për pasojë gjykata duhet të pushonte çështjen objekt gjykimi për mungesë legjitimiteti të kërkuesit.

13-Komisioni i Rithemelimit i është drejtuar gjykatës si përfaqësues pa pasur tagra përfaqësimi pasi venimi nr.6 datë 11.12.2021 është ratifikuar në datën 19.12.2021 ndërsa kërkesa drejtuar gjykatës ka qënë në datën 15.12.2021.


14-Gjykata nuk ka analizuar provat nga ana e formës dhe përmbajtjes dhe relaton në vendim fakte të cilat nuk përputhen me provat që i janë nënshtruar gjykimit apo fakte të cilave nuk u gjendet burimi i marrjes dijeni nga gjykata.