Florin Kuvendi është punonjës policie në Drejtorinë Vendore në Shkodër. Ai punon e jeton në këtë qytet, dhe është babai i një djali. Me hapjen e mundësisë për kredi me zero interes për banesa vjeshtën e kaluar, inspektori aplikoi dhe në përfundim të procedurave bleu një banesë ku jeton prej muajsh.


Ministri i Brendshëm Taulant Balla publikoi në rrjetet sociale historinë e të riut. “Në shtëpinë e re të inspektorit të Policisë së Shtetit, Florin Kuvendi, në Shkodër, i cili përfitoi kredinë e lehtësuar, falë programit të veçantë të Qeverisë Edi Rama për mbështetjen e familjeve e reja të mjekëve, ushtarakëve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit me kredi me interes shumë të favorshëm për shtëpi”, shkruan Ministri Balla, duke theksuar se do të rritet mbështetja afatgjatë për familjet e reja të atyre që i shërbejnë ditë-natë shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.


Aplikimet për kredi me zero interes janë rihapur këtë vit sërish për punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.