Policia e Shtetit zhvilloi në bashkëpunim me SPAK dhe me partnerët amerikanë një tjetër plan operacional policor.


Plani operacional i koduar “HOTI”, kundër veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve shqiptarë, për kalim të paligjshëm nga PKK Hani i Hotit, me destinacion Kanadanë dhe Amerikën.

Plani operacional, nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në DPPSH, në bashkëpunim me DVP Shkodër, Forcën e Posaçme Operacionale, BKH-në dhe me Task Forcën “Joint Shield” të Agjencisë Federale të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Ambasadës së ShBA-së në Tiranë, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2023.

Ekzekutohen masat e sigurisë, të caktuara nga GjKKO, për 5 shtetas:

•“Arrest në burg”, për organizatorin e kësaj veprimtarie kriminale;

•“Arrest në shtëpi”,


për 2 shtetas të implikuar në këtë veprimtari kriminale dhe për 2 punonjës të PKK Hani i Hotit që akuzohen për shpërdorim të detyrave.

Gjenden në banesat e këtyre shtetasve dhe sekuestrohen:

8125 euro, 625 000 lekë, 3060 dollarë amerikanë, 240 dollarë kanadezë, si dhe 17 celularë, 3 automjete, 1 USB, 21 fushekë, blloqe shënimesh, regjistra hyrje-daljesh, bileta udhëtimi, mandate pagesash dhe mandate bankash.

Në kuadër të planit operacional policor u ekzekutuan:

-masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin L. M., 56 vjeç, banues në Malësi të Madhe, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave dhe i vizave” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;

-masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasit:

E. M., 24 vjeç dhe G. C., 49 vjeç, të dy banues në Malësi të Madhe, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim;

T. M., 55 vjeç, banues në Malësi të Madhe dhe B. C., 58 vjeç, banues në Shkodër, përkatësisht me detyra ndihmësspecialist, kontrollor i vijës së dytë në PKK Hani i Hotit dhe përgjegjës turni në PKK Hani i Hotit, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin nr. 81 të datës 21.07.2024 dhe më vendimin nr. 453 të datës 21.07.2024, ka caktuar këto masa sigurie, pasi nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet dokumenteve false dhe mosregjistrimit në sistemin TIMS, kanë kaluar në PKK Hani i Hotit, shtetas shqiptarë që kishin destinacione Kanadanë dhe Amerikën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për hetime të mëtejshme.