Dhuna në familje që nuk raporthet, bëhet shkak që viktimat e saj të marrin vendime fatale për jetën, si rasti i Alma Arrazit që u vetëflijua bashkë me 3 fëmijët në lumin Buna në Shkodër. Nga një vëzhgim për Faktoje rezulton se mendësia patriarkale që nis nga familja e origjinës e deri tek institucionet, frenon denoncimin e dhunës. Viktima të këtyre situatave që kanë arritur të shpëtojnë nga dhunuesit, tregojnë se nuk e kanë pasur mbështetjen e familjes, ndërsa juristë dhe aktivistë dëshmojnë për shkelje të etikës dhe zvarritje të procedurave nga autoritetet ndaj grave denoncuese.
Emi Kalaja
Vetëvrasja e Alma Arrazit së bashku me 3 fëmijët e mitur do mbahet mend si “Tragjedia në ujërat e Lumit Buna”. Vetëflijimi i 4 personave sipas raportimeve që pasuan ngjarjen kishin në sfond dhunën në forma të ndryshme brenda familjes Arrazi.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla reagoi në mënyrë të përsëritur mbi këtë ngjarje të rëndë, duke apeluar që gratë të denoncojnë dhunën.
“Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo lloj forme dhune. Dhuna shpesh manifestohet në shtëpi, mbrapa dyerve të mbyllura, por kjo është një temë që duhet bërë publike.” shkruante Balla në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Nga të dhënat e orgnizatave që kanë në fokus mbrotjen dhe mbështetjen e grave të dhunuara, janë me dhjetëra të tilla që në moment dëshpërimi dhe mungese përkrahjeje institucionale dëshmojnë se kanë pasur mendime për t’i dhënë fund jetës.
G.H. 40-vjeç nga një fshat Shkodrës thotë se frika dhe mungesa e besimit mund të të çojnë në vendime fatale. “Një natë, pas një dhune të tmerrshme të bashkëshortit në sy të fëmijëve të vegjël që vetëm bërtisnin nga pamundësia për të më ndihmuar, ndjeva se nuk kisha më forcë të vazhdoja. U largova nga shtëpia duke u drejtuar drejt urës së fshatit. Por, më dolën para syve vetëm fëmijët, të cilëve i detyrohesha jetën dhe dashurinë time si nënë. E kuptova se vetëvrasja nuk do të ishte zgjidhja. Në bashkëpunim me një shoqe të besuar, arrita të gjej një rrugë për të dalë nga mjerimi dhe dhuna, duke i dhënë fëmijëve të mi një ambient më të qetë pavarësisht vështirësive financiare që kishim. Nuk ka qenë e lehtë. Askush nuk ishte në favorin tonë, as të afërmit, as policia, as gjykata, por unë vendosa të forcohem dhe të shpëtoj veten dhe fëmijët,” thotë G.H. për Faktoje.
Për Denada Shpuzën, drejtuese e qendrës “Hapa të Lehtë,” dhuna në familje konsiderohet një çështje që i përket ekskluzivisht “familjes,” ndaj bashkëpunimi me komunitetin për denoncimin e saj është thuajse inekzistent.
Pranë kësaj qendre, në 20 vite veprimtari kanë munguar denoncime apo qoftë dhe sinjalizime nga komuniteti kur kanë qenë dëshmitarë të dhunës.
“Në 2 dekada kemi trajtuar 2783 raste të viktimave të dhunës në familje. Janari i këtij viti nisi me shifra të larta të dhunës, me 12 denoncime për dhunë në familje dhe vetëm 2 raste që kanë përfituar urdhër mbrojtjeje. Policia në Shkodër për të lëshuar urdhër mbrojtjeje kërkon të shohë shenja të dukshme të dhunës tek denoncuesja, duke anashkaluar dhunën psikologjike apo forma të tjera të saj. Kjo bën që denoncuesja, pasi ka marrë një vendim kaq të rëndësishëm për të shkëputur zinxhirin e dhunës, të tërhiqet, të humbasë besimin tek institucionet dhe ose të rikthehet tek dhunuesi ose të ndërmarrë veprime fatale.“- thotë Denada Shpuza.
Në ndihmë të këtij komuniteti është krijuar Strehëza e Emergjencës “Gruaja tek Gruaja”, e vetmja qendër pritëse e këtij lloji në veri të Shqipërisë. E hapur në shtator të vitit 2015, aty jepen shërbime për viktimat e dhunës, përfshirë strehimin emergjent, ushqimin dhe përkujdesjen, këshillimin individual dhe terapinë në grup, asistencën ligjore, planin e shpëtimit dhe menaxhimin e rasteve. Megjithatë, për viktimat e dhunës duhet gjetur zgjidhje afatgjatë. Suela Domnori, menaxhere e strehëzës, evidentoi për Faktoje një databazë të kërkesave për strehim emergjent. Ajo që bie në sy është se shifra më e lartë është shënuar gjatë vitit të pandemisë, në 2020-n, me 41 kërkesa. Rastet kanë ardhur dukë u ulur deri në 2023, por kanë shënuar sërish rritje gjatë këtij viti. (Rastet janë referuar kryesisht nga policia dhe shërbimet sociale, me një numër të vogël referimesh nga qendrat shëndetësore.)
“Viktimat ndihen të turpëruara dhe frikësohen nga gjykimi shoqëror. Ato kanë frikë se raportimi do të çojë në dhunë më të rëndë. Shumë gra janë ekonomikisht të varura nga abuzuesit. Ato nuk janë në dijeni për të drejtat dhe shërbimet e disponueshme. Komunitetet shpesh nuk ofrojnë mbështetje. E po ashtu, burokracia dhe mungesa e mbështetjes institucionale e vështirëson kërkimin e drejtësisë,” thotë për Faktoje Suela Domnori.
Avokatja Edlira Bylo, e cila me përvojë 20-vjeçare me viktimat e dhunës në familje, thekson mungesën e profesionalizmit dhe mentalitetin patriarkal në institucione si policia. Ajo përmend raste konkrete ku policia nuk ka marrë masa të mjaftueshme për mbrojtjen e viktimave dhe ka treguar mungesë respekti ndaj tyre.
Rasti i parë: Viktima B.S. dhe fëmijët e saj ishin dhunuar për vite nga kryefamiljari. Ajo kërkoi urdhër mbrojtjeje pranë organizatës ku punoja, dhe zgjidhje tw martesws. B.S. kishte shenja të dukshme dhune dhe ishte e rënduar psikologjikisht. Oficeri nuk përfshiu si subjekte fëmijët e saj dhe nuk kërkoi largimin e menjëhershëm të dhunuesit nga banesa, duke vënë në rrezik sigurinë e viktimës dhe fëmijëve.
Rasti i dytë: Viktima N.F. dhe fëmijët e saj ishin larguar nga banesa për shkak të dhunës fizike sistematike. Oficeri i policisë nuk zbatoi ndalimin e dhunuesit që t’i afrohej shtëpisë, vendit të punës, ose shkollës së fëmijëve, duke vendosur viktimën në rrezik të madh.
Rasti i tretë: Në vitin 2017, viktima L.G. u thirr nga prokuroria për të dhënë dëshmi. Oficerët e policisw gjyqësore e quajtën “histerike” dhe “gruaja e pijanecit”, duke shkelur etikën profesionale dhe duke treguar mungesë respekti ndaj saj. Jo pak herë, hetimet për dhunuesit mbyllen, duke vënë rrezikuar edhe mw shumw jetën e viktimës, e cila është ekspozuar mjaftueshëm në momentin e denoncimit dhe konfrontimit me vetë dhunuesin përpara institucionit. Nuk duhet harruar që jo pak herë, viktimave u janë kërkuar “favore” në këmbim të mbrojtjes.
Avokatja Bylo megjithatë pranon se ka një përmirësim të dukshëm përsa i përket infrastrukturës, ambienteve të intervistimit të të miturve dhe viktimës, formës së intervistimit, komunikimit dhe reagimit të shpejtë. Risia më e mirë është bashkëveprimi psikolog-avokat gjatë marrjes në pyetje, duke siguruar mbrojtjen maksimale të viktimave. Aktualisht, prania e juristëve, psikologëve, avokatëve kryesisht në çështjet që lidhen me viktimat dhe të miturit ofruar nga ndihma juridike garantuar nga shteti janë një faktor që influencon shumë pozitivisht në aplikimin efektiv të procedurave. Përzgjedhja e elementeve të reja dhe të përgjegjshme si dhe shtimi i radhëve të grave në polici kanë sjellë një frymë besimi dhe mbështetje për viktimat, duke filluar nga punonjësit e thjeshtë deri te oficerët gjyqësorë.
Psikologia Antonjeta Pero, e cila ka veprimtarinë e saj me grupet e margjinalizuara që nga viti 1990, thotë për Faktoje se shkaqet e dhunës në familje janë:
Mungesa e formimit për të respektuar njëri-tjetrin: Mungesa e formimit të meshkujve, se marrëdhënia seksuale, kur nuk mund të realizohet prej tyre, nuk do të thotë se femra domosdoshmërisht do ta realizojë këtë me dikë tjetër.
Varfëria: Edhe pse çiftet nuk kanë jetuar më të pasur në vitet e diktaturës, familjet e ardhura në vitet e demokracisë, shumica jetojnë në shtëpi me qira, që i bën të lëvizin sa në një banesë në tjetrën, kur nuk kanë të ardhura për të përballuar asnjë nga shpenzimet për të patur një jetë normale.
Alkooli: Si pije që shpesh bën që burrat ta humbin vetëdijen dhe, si rezultat i pamundësisë për t’iu përgjigjur problematikave që jeta ka, provojnë që zgjidhja është veprimi fizik.
Lojërat e fatit: Papunësia që sjell dëshirën për të provuar e më pas varësinë nga lojërat e fatit është gjithashtu shkaku i dhunës në familje.
Pyetjes se përse familjarët ngurojnë të shkojnë te organet kompetente, Antonjeta Pero iu përgjigj me këto argumente:
“Ligji për dhunën në familje i aprovuar me vonesë, mungesa e cilësisë së punës së personave në zyrat përkatëse, mendësia e grave shqiptare se do të turpërojnë familjen e prindërve, pamundësia për të patur një banesë dhe të ardhura të mjaftueshme që të jetojnë me fëmijët larg dhunës.
Gjykata e Shkallës së Parë të Shkodër gjatë vitit 2023 ka shqyrtuar 195 kërkesa për urdhëra mbrojtjeje dhe urdhëra të menjëhershëm mbrojtjeje gjithsej. Nga këto, 48 janë dërguar për ndjekje penale dhe janë dënuar për ushtrim dhune në familje.
Sipas Drejtorisë së policisë Shkodër, denoncimet për “Dhunë në familje” për 2023 janë 66, me 41 persona të arrestuar dhe 25 që ndiqen në gjendje të lirë.
Ne kontaktuam disa inspektorë policorë që operojnë sipas lagjeve, të cilët kërkuan ruajtjen e anonimatin. Ata identifikuan si probleme më të shpeshta në rastet e dhunës në familje, bashkëjetesën e dhunuesit/es e të dhunuarit/es në një banesë, pamundësinë për t’i strehuar ata në shtëpi të ndryshme, apo rastet kur vendimet e gjykatës u vihen në dispozicion me vonesë inspektorëve të Policisë së Shtetit në mënyrë që ata të marrin masa në kohën e duhur. Edhe mungesa e infrastrukures në fshatrat e thellë ku ndërhyrja e policisë bëhet më e vështirë dhe ka mungesë informacioni është problem.
Gazetari Ergys Kavaja, i cili prej 18 vitesh mbulon ngjarjen e kronikës në qarkun e Shkodrës, tregon:
“Në konceptin tim për dhunën, mendoj se jemi një shoqëri e dhunshme dhe patriarkale, e cila pavarësisht ndryshimeve ndër vite, nuk ka arritur ta ulë atë.
Një nga problemet kryesore që vështirëson punën e policisë është mungesa e denoncimeve, pasi viktimat kanë frikë, i druhen mentalitetit apo vendimeve të drejtësisë. Sot, perceptimi është se shqiptarët kanë më shumë besim tek drejtësia, por në vite vendimet e gjykatave nuk kanë qenë një “strehë” për të dhunuarit. Legjislacioni shqiptar është shumë i mirë në koncept, por zbatimi i tij është ende një problem që duhet zgjidhur,” thotë gazetari Ergys Kavaja për Faktoje.