Nga oborri i muzeut të Shkodrës në natën e parë, “Za Fest” është zhvendosur në Kalanë e Shkodrës, nën një atmosferë magjike për të gjithë të pranishmit.
Kalaja e mbushur, me pjesëmarrës nga i gjithë rajoni i ka dhënë jetë edhe natës së dytë të festivalit ku kanë performuar artistë të njohur. Kulmoi me performancën e Ylli Limani.
Ka nga ato pjesëmarrës që e shijojnë për herë të parë, ndërkohë që për të pranishmit atmosfera është elektrizuese.
“Shumë bukur, ia vlen shumë të vish, rininë e kisha shtyrë që të vinte e të mësonte më shumë për evente të tilla” thotë një e re.
“Jemi duke u kënaqur, është shumë bukur, ia vlen të vish” thotë një tjetër qytetare.
Për organizatorin e këtij festivali Vlashent Sata, synimi është për të kthyer Shkodrën në kryeqendër të festës dhe rizgjimi i kulturës.
“Jam shumë i kënaqur sepse qëllimi ynë është t’i japim vlerë qytetit, kulturës, me një përkushtim në veri si djepi i kulturës. Gjithë ideja është si të mund të rizbulojmë veten. Kështu do jemi edhe ndaj kulturave të tjera. Za Fest ka qëllimin për të rizgjuar kulturën”, tha Sata.
Premton shumë surpriza edhe për natën e tretë të festivalit.
“Nesër do zbulojmë një muzikë ekstrem moderne”, theksoi Sata.
Për 3 netë me radha Shkodra është kryefjalë e festës me “Za Fest” i cili vjen në edicionin e 8-të të tij, duke u kthyer në traditë dhe një lidhje e pandarë me Shkodrën.