Pritej një ndeshje e luftuar nga Vllaznia, por në fund vetëm e tillë nuk rezultoi. Mes shumë tifozëve në shkallët e ‘Loro Boriçit’, Vllaznia u mposht 0-4 nga islandezët e Valur dhe me këtë turpërim në shtëpi djemtë e Thomas Brdaric janë jashtë nga Kupat e Evropës.


Barazimi 2-2 i një jave më parë nuk u shërbeu shkodranëve, me tifozët që në fund shprehën zhgënjimin duke hedhur edhe sende të palejuara në fushë.

Vllaznia u fut në fushë pa besimin e duhur dhe në harkun e 23 minutave pësoi tre gola që në pjesën e parë. Sigurdsson në të 13, Tryggvason në të 16 dhe Pedersen në minutën e 36-të mbyllën pjesën e parë 0-3 për Valur.

Asnjë reagim nga shqiptarët në pjesën e dytë, aty ku edhe pësuan golin e katërt me Haraldson. Për t’u përmendur se Vllaznia u ndal dy herë nga shtylla.
Me rezultatin e përgjithshëm 2-4 Vllaznia është jashtë Kupave të Evropës, duke zhgënjyer dhe mos përfituar të ardhura nga UEFA.
Kujtojmë se Partizani dhe Egnatia do vijojnë garën në turin e dytë kualifikues të Conference League, ndërsa Tirana dhe Vllaznia janë të eliminuara që në fazën e parë.