Në bazë të kontrolleve të ushtruara nga ajri uniformat blu asgjësuan rreth 30 mijë bimë narkotike në Shkodër.
Në pranga ra një 56 vjeçar pasi kishte kultivuar 70 bimë narkotike në fshatin Kokëdodë, Fushë Arrëz. Vijojnë hetimet për kapjen dhe identifikimin e autorëve të tjerë.
Njoftimi i policisë:
Në bazë të koordinatave të siguruara paraprakisht, nga monitorimet me dron, të kryera nga shërbimet e DVP Shkodër dhe komisariateve në varësi të saj, në kuadër të megaoperacionit “Territor i pastër”, u kryen një sërë kontrollesh nga ajri, me mbështetjen e helikopterit të Forcave Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes, me objektiv goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë kontrolleve:
u gjetën në territoret e njësive administrative Shosh ,Guri i Zi, Ana e Malit dhe Postribë, dhe asgjësuan 29 825 bimë kanabisi;
në Fushë Arrëz gjetën në territorin e njësisë administrative Fierzë dhe asgjësuan 70 bimë kanabisi. Si rezultat i hetimeve dhe i veprimeve profesionale policore, u identifikua, u kap dhe u arrestua autori i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve, shtetasi P. A., 56 vjeç, banues në fshatin Kokëdodë, Fushë Arrëz.
Megaaoperacioni do të vijojë nga ajri dhe nga toka. Ndërkaq, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës po kryhen hetime për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorët e kultivimit të bimëve narkotike.