Sarda, rreth 15 km larg nga Vau i Dejës, e njohur ndryshe si ishulli i Shurdhahut, është një nga vendet më të bukura që ka Shqipëria.

Kryeministri Edi Rama ndau sot me pamje nga ky ishull në lumin Drin, një destinacion spektakolar për t’u vizituar.

Pas krijimit të hidrocentralit të Vaut të Dejës, u krijua një liqen artificial që e ktheu kodrën, në të cilën ndodhen rrënojat e qytetit mesjetar të Sardës, në një ishull.

Në total gjatësia e ishullit nga njëri skaj në tjetrin është 393 metra, teksa kodra kap lartësinë e 130 metrave.

Ishulli arrihet lehtësisht dhe nga fshati Rragam, që ndodhet vetëm 6 kilometra larg.

Peizazhet e liqenit artificial si dhe kodrat e shumta përreth, e bëjnë këtë ishull një atraksion jo vetëm historik e kulturor, por edhe natyror që nuk duhet humbur. /ATSH/