Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij përpara kryetarëve të bashkive, deklaroi se ka një sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin shqiptar.

Rama tha se Kosova nuk na ka braktisur, pasi 1.7 milionë qytetarë nga Kosova kanë ardhur në Shqipëri. Sipas kreut të qeverisë, fluksi i turistëve është rritur me 86 përqind. Gjithashtu, Rama kishte një mesazh edhe për operatorët turistikë të hoteleve, duke thënë se duhet të shqyrtojnë çmimet në hotele.


Edi Rama: Sot ka sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin shqiptar. Të gjithë janë të skandalizuar nga video, lajme, komente të rreme dhe të manipuluara e bëra me qëllim, që duan të thonë që këtu nuk ka ardhur njeri. Faktet janë në terren e nuk kemi pse të merremi me ata që janë pjesë e këtij sulmi të organizuar që vjen nga disa anë. Shumë profile false përdoren për këtë sulm. Shqipëria ka rritur fluksin e turistëve me 86 përqind, duke shënuar rekord. Është shumë e ulët për të thënë se shqiptarët e Kosovës kanë braktisur Shqipërinë, pasi vetëm për pak kohë 1.7 milionë shqiptarë të Kosovës kanë hyrë në territorin e Shqipërisë.