Në një vit nga marrja mafioze e detyrës, sot është koha të shohim mashtruesin e shkodranëve në veprim, duke i ofruar kullat shumë katëshe që do t’i zënë frymën Shkodrës.

Sot bashkë me mentorin e tij politik, që nuk del asnjëherë nga lloji, në një spektakël me rregji, në mungesë të plotë transparence, pa marrë mundimin për tu konsultuar asnjëherë as me specialistët as me qytetarët e Shkodrës, u ofron kullën 35 katëshe si një heshtë në zemër të qytetit.

Vasali i krimit në Shkodër Beci, sot na ofroi skandalin e radhës që do ta vuajnë në vite brezat e këtij qyteti.
Sot u pa se sa e njeh historinë e Shkodrës, sot u kuptua qartë se nuk njeh aspak Kolë Idromenon dhe vizionin e tij, arkitektin e këtij qyteti që sot po e betonizon, Edi Rama dhe “ushtari” i tij Benet Beci për arsye korruptive!
Sot shkodranët e panë sjelljen e neveritshme të atij që nuk e lidh asgjë me këtë qytet e në vend që të mbrojë interresin e qytetarëve zgjodhi ti serviloset e të mbrojë interesat e padronit të tij dhe krimit që e zgjodhi.
Mafia e ndërtimit e drejtuar nga Rama sot nisi të lulëzojë edhe në Shkodër, në shërbim të atyre që vodhën zgjedhjen e shkodranëve.

Ja përse u duhej Shkodra për ta vjedhur, shkelur dhe tjetërsuar. I fundit qytet që kishte shpëtuar nga jargët e babëzisë së hajnave me pushtet, i fundit qytet, qendra e të cilit ngjante me një qytet perëndimorë arkitektura dhe historia e të cilit duhej mbrojtur me fanatizëm, ra në duart e babëzisë së padijes, injorancës dhe krimit që nuk njeh çka asht e bukura!
Ps. Projekti për ndërtimin e kullës është në kundërshtim me të gjithë kushtet zhvillimore të përcaktuara në Planin e Përgjithshëm Vendor, Bashkia Shkodër, miratuar me vendim të KKT nr.5, datë 16.10.2017, i ndryshuar, i cili parashikon si lartësi maksimale në kate 7+2, si dhe nuk respekton të gjithë treguesit e tjerë teknik të përcaktuar në këtë plan si dhe në Planin e Detajuar Vendorë të kësaj njësie.