Nelson Hysa ngre sërish lart flamurin kuqezi, duke marrë titullin e parë europian WBO për peshat e rënda.

“Gjigandi” shkodran triumfoi që në raundin e parë ndaj Thorsten Fuchs, duke e gjunjëzuar dy here në pak sekonda, në një atmosferë elektrizuese në sheshin “Skënderbej”.

Goditja me të djathtën nga Hysa ishte tepër e rëndë për gjermanin, i cili e pati të pamundur të vazhdonte.


Fitorja e 18-të në karrierë për Hysën dhe e 16-a me “Knock Out”. Një triumf që sjell për herë të parë në Shqipëri një titull europian.

Gjermani pësoi humbjen e dytë në karrierën e tij, teksa nuk e përballoi dot vrullin e shkodranit. E radhës për Hysen pritet që të jetë në Shtete e Bashkuara të Amerikës, këtë herë për të vijuar rrugën e tij përtej oqeanit, në një tjetër sfidë të madhe.

Një fitore të madhe arriti dhe Alban Bërmeta. Boksieri kryeqytetas mposhti Obina Matheu pas 3 minutash.

Ndonëse nigeriani kishte 23 fitore me KO ne 23 ndeshjet e tij si profesionist doli i mposhtur nga ringu, duke pësuar humbjen e parë në karrierë.

Titulli global WBO shkoi për Bërmetën, i cili mori fitoren e 17-të në karrierën e tij.

Fitore mori që në raundin e parë dhe Denis Nurja. Boksieri me renditjen më të mire nga boksierët shqiptar arriti që të mposhtë Angel Barroso.

Me fitore e mbyllën dhe Muhamet Qamili, Mikel Çullhaj, Ardit Murja, Xhuzepe Jaka, Arjon Kajoshi dhe Fabio Kaciu.


Një betejë të vërtetë zhvilluan dhe dy boksierët e pamposhtur Cristobal Lorente dhe Mauro Forte, të cilët dueluan për 12 raunde për titullin europian EBU.

Italiani Forte ndonëse pësoi një të çarë që në raundin e parë dhe pati hemorragji, rezistoi deri në fund, ndonëse me vendim të gjyqtarëve triumfoi spanjolli Lorente.