Top Channel ka siguruar dosjen hetimore të abuzimeve me fondet e BE për SASPAK, për të cilën janë nën hetim ish-ministri Ilir Beqaj, në kohën kur ishte drejtor i SASPAC, dhe disa persona të tjerë që së bashku kanë kryer korrupsion.


Sipas dosjes së siguruara nga Anila Hoxha, nga hetimet ka rezultuar se Beqaj në cilësinë e titullarit të SASPAC dhe Ermal Kurtulaj, koordinator i zyrës Facility Point për projektin EUSAIR, në SASPAC, në bashkëpunim edhe me të tjerë persona, kanë prokuruar shërbimin me objekt “Për organizmin e konferencës 03-05 Prill 2023 “E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm mjedisor në Shqipëri FESTA Asistenca Teknike IPA CBC, Projekti Adrion”, me vlerë 125,000.00 Euro.


Ky prokurim rezulton i njëjtë me atë të prokuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, për të njëjtin event atë të quajtur “Festa”, me përjashtim të zërit “darkë”, duke u kontraktuar në të dyja rastet e njëjta shoqëri tregtare e quajtur “Landways International”, me ortak e administrator personin nën hetim Gazmend Haxhia dhe drejtor ekzekutiv Alfred Nikolla.

Nga tërësia e veprimeve të kryera në kuadër të organizimit të eventit “Festa” rezulton se Gazmend ka paraqitur dokumente lidhur me pjesëmarrjen ne procedurën e prokurimit të cilat dyshohet se kanë përmbajtje të pavërtetë, të tilla si oferta (preventive) në lidhje me organizmin e eventit “Festa” si në kohë ashtu edhe në përmbajtje pranë SASPAC-ut, duke nënshkruar kontrata dhe raporte mbi zbatimin e kontratës të cilat dyshohet se janë bërë me qëllim përfitimin e shumës së parave, ndërkohe që shërbimi rezulton të jetë ofruar vetëm për shumën e parave që përbën ofrimin e darkës për datën 03 prill 2023.


Dijenia e tij mbi fiktivitetin e dokumentacionit rezulton nga fakti i paraqitjes së dokumentacionit (që lidhet me procedurën e prokurimit e cila do të duhej te ishte zhvilluar para datës 3 prill 2023) me nënshkrimin e tij që nuk përkon në aspektin kohor me kohen e zhvillimit të procedurës së prokurimit dhe organizimit të eventit dhe po ashtu dëshmohet edhe nga fakti që ai e ka ditur që i njëjti event, është prokuruar në Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Kjo sipas SPAK pasi po shoqëria Landways International është shpallur fituese edhe në atë procedurë prokurimi, duke marrë përsipër realizimin e një objekti kontrate të njëjtë, për të njëjtin event.

Kjo dijeni rezulton jo vetëm nga dokumentacioni që ka paraqitur në emër të shoqërisë pranë MTM, për efekt të prokurimit si në ofrim ashtu edhe në zbatim të kontratës, por kjo dijeni mbështetet edhe nga përmbajtja e fjalimit të mbajtur nga ana e tij si i ftuar në këtë event, ku rezulton se ai është shprehur:

“Dua të falënderoj veçanërisht arkitektin e këtij koncepti, FEST-ës, ministren fantastike të turizmit dhe mjedisit, zonjën Mirela Kumbaro, dhe ekipin fantastik që i qëndron pas saj.”