Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, është shprehur pas konferencës së kryetarëve që deklarata e propozuar për abrogimin e ligjit të luftës nga Greqia të marrë mbështetjen e të gjithë deputetëve.
“Qeveria shqiptare ka bërë çdo përpjekje me qeverinë greke për abrogimin e ligjit të luftës, i cili është një ligj absurd, krejt i panevojshëm dhe i dalë kohe. Jo vetëm deklaratat e ministrave të jashtëm ndër vite, si Kotsias, që e quan ligjin në budallallëk historik, por edhe në takimet më të afërta, ne e kemi bërë të qartë pozicionin tonë. Deklarata e propozuar shpresoj të marrë mbështetjen e të gjithë parlamentit për t’u miratuar sepse Greqia është një shtet mik, një aleat strategjik.
Ne e kemi firmosur dhe më pas e kemi vënë në funksion traktatin e paqes me Greqinë që në vitin 1996, jemi anëtarë të NATO-s, në OSBE e kudo dhe diskutimi në kuvend nuk i bën keq askujt”, tha Spiropali.
Pr/deklarata që u depozitua në Kuvend nga Shpëtim Idrizi dhe deputetët e tjerë të këtij grupimi do të diskutohet në seancën e ditës së enjte. Gjithashtu, parashikohet dhe një hapësire kohore për diskutim ku palët do të shprehin qëndrimin e tyre para se të miratohet.
Deputetët e PDIU u shprehën javën e kaluar se kjo kërkesë për Kuvendin duhej të ishte bërë prej kohësh dhe presin nga të gjitha forcat politike që ta votojnë.
Ndërkohë, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë konfirmuar mbështetjen për projektdeklaratën e Grupit Parlamentar Drejtësi dhe Integrim për t’i kërkuar Greqisë heqjen e ligjit të luftës.