Tkurrja e popullsisë dhe largimi i të rinjve janë dy shqetësimet e ngritura nga Kisha Katolike pas publikimit të të dhënave të Censusit të vitit 2023. Konferenca Ipeshkvnore Shqiptare përmes zëdhënësit të saj Dom Mark Pashkja shpreh bindjen se tkurrja e popullsisë është më e lartë se ajo e paraqitur nga Censusi. Po ashtu, sipas Kishës Katolike , largimi i të rinjve nga Shqipëria, tkurrja e moshës së punës, sjell pasoja në zhvillimin e shoqërisë, mirëqenies shpirtërore e ekonomike të familjeve shqiptare.
“Tkurrja e popullsisë me rreth 400 e 10 mijë njësi në krahasim me censusin e vitit 2011, ne mendojmë që numri është më i lartë se kaq. Largimi i moshës së re është një aset i madh që e varfëron Shqipërinë”, u shpreh Dom Mark Pashkja, Zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Kisha Katolike, lidhet me numrin e katolikëve të raportuar në të dhënat e Censusit. Kisha Katolike shprehet se do angazhohet për ta kryer vetë Censusin në lidhje me numrin e katolikëve në Shqipëri.
Edhe mbi projekt ligjin për nënat surrogate konferenca ipeshkvnore ka reaguar, teksa i bën thirrje qeverisë dhe kuvendit të Shqipërisë që të organizojë një debat publik ku pjesë e së cilës të jenë edhe komunitetet fetare në vend.
“Kisha katolike e gatshme që të kontribuoj në diskutim me vërejtje objektive, kërkon të dëgjohet në nivelin e përshtatshëm institucional dhe bën thirrje që Kuvendi i Shqipërisë por edhe qeveria të krijojnë sa më parë kushtet për një debat publik të vërtet”, u shpreh Dom Mark Pashkja.
Sakrifikimi i një procesi të tillë përmes kalimit forcërisht e në heshtje të një agjende të caktuar, do të ishte dëmi më i madh që mund t’i bëhej vendit përfundon në reagimin e tij zëdhënësi i konferencës ipeshkvnore.