Shqipërisë i duhen 59 vite që të ketë sërish 2.8 milionë banorë. Kjo bazuar te ecuria e shtesës natyrore të popullsisë së 12 viteve të fundit, me kushtin që në gati 6 dekadat e ardhme nga vendi të mos largohet askush. Në harkun e viteve 2012-2023, shtesa natyrore popullsisë ka qenë mesatarisht 7 mijë e 135 lindje më shumë se vdekje në vit.

Për të pasur 420 mijë banorët që mungojnë nga 2011-ta, vendi duhet të presë vitin 2083. “Ajo që ne shohim si alarmante për momentin është kjo shifër e cila na tregon se duhet të reflektojmë për mënyrën se si ne po trajtojmë qytetarët e këtij vendi, për mënyrën se si ne ju ofrojmë atyre mundësinë për të qëndruar apo u larguar nga vendi”, shprehet Doralda Tanellari, studiuese.

Edhe më shumë koha do i duhej veçanërisht Fierit, qark i cili në harkun e 12 viteve ka humbur gati 70 mijë banorë. Korça, Shkodra, Durrësi, Lezha dhe Dibra janë qarqet e tjerë që do duan nga 40 e deri në 60 vite për të pasur sërish të njëjtin numër banorësh si në 2011-tën.

“Unë mendoj se çelësi i ndryshimit është mbështetja e të rinjve. Duhet të ndiqen politika të forta që e para kanë të bëjnë me mirë-arsimin e atyre, marrjen e një profesioni që lidhet me nevojat e tregut të punës dhe garantimi i aksesit për të blerë shtëpi etj”, thotë studiuesja.

Shqipërisë i duhen 59 vite që të ketë sërish 2,8

Në dekadën e tretë të tranzicionit 2011-2023, pritej që vendi të kishte kaluar emergjencën pas regjimit komunist dhe të kishte hyrë në një fazë zhvillimi të qëndrueshme, por e kundërta ka ndodhur. Në fund të vitit të shkuar ra në nivelet e viteve ’70, rreth pesë dekada më parë. Po a mund të rikthehen më ata që kanë ikur? 

“Kjo është e vështirë dhe gati e pamundur. Kjo pasi ata që kanë ikur janë mësuar me një tjetër stil jetese dhe nuk besoj se do pranon të riktheheshin e të gjenin të njëjtat kushte prej të cilave ikën”, tha Tanellari.

Shqipërisë i duhen 59 vite që të ketë sërish 2,8

Sipas censit të popullsisë dhe banesave në Shqipëri jetojnë pak më shumë se 2.4 milionë qytetarë. Në krahasim me vitin 2011, numri i popullsisë është pakësuar me gati 420 mijë apo 14.9 për qind.