Ndoc Kola, 71 vjeç, nga fshati Gajtan i Gurit të Zi ka të mbjellë me duhan 4 dynym tokë, e cila nuk prodhon asgjë tjetër përveç kësaj kulture dhe kjo është e vetmja mënyrë për të siguruar jetesën. Gjysma e dytë e muajit korrik është edhe periudha e vjeljes së duhanit. Ashtu si fermerët e tjerë të zonës, Ndoci po përgatitet për vjeljen e më pas për ta nxjerrë për shitje në treg.
Një zonë tradicionalisht e njohur për kultivimin e duhanit, në Gur të Zi është edhe pika e grumbullimit dhe përpunimit. Por sipas administratorit njësisë Gur i Zi, kjo fabrikë nuk i ka kapacitetet e nevojshme për të përballuar sasinë e duhanit që prodhojnë tokat e fshatrave Gajtan, Rragam dhe Sheldi.
Guri i Zi, vetëm 6 km larg Shkodrës, njihet si zona e cila prodhon duhanin, që me dekada kjo kulturë është e vetmja me të cilët fermerët e fshatrave të kësaj njësie mund të jetojnë, ndërsa familjet e përcjellin brez pas brezi këtë kulturë.