Valentina, prej vitesh udhëton shpesh në zonat rurale të Tropojës për të informuar gratë dhe vajzat se edhe ato, njësoj si baballarët dhe bashkëshortët, kanë të drejta pronësore që burojnë nga ligji.

Një pjesë e karrierës së saj është lidhur me të drejtat e grave në Veri të vendit, ku ende dominon mentaliteti se, prona nuk u takon femrave. Kjo mendësi e instaluar me shekuj dominon edhe sot. Neni 41 i Kanunit të Lekë Dukagjinit përcaktonte se “Gjithkush asht i zoti i pasunis së vet, i cili don me lanë gjanë e vet për kishë, asht i lirë e nuk mund ta ndalë askush.


-Baba edhe në mos past djem, nuk mundet me ju lanë bijave as tokë, as plaçkë, as shpi.

-Baba për të gjallë të vet ka tagër me ju fal bijave të holla, rraqe, cakla, përmbas deket të t’et s’ka tagër bija të lypë të falmet dhe folmet e t’et”.

Sipas Kanunit, vajza nuk është pjesëtare e pronës në gjini, por te shtëpia e burrit. Por kur ajo martohet, prona, qoftë toka apo shtëpia, regjistrohet në emër të bashkëshortit të saj më e pas e fëmijëve meshkuj.

Për Suljeman Isufin, pinjoll i një familje agallarësh në Kukës, që për shumë kohë ka qenë “Gjykata e Kanunit”, trashëgimia e pronave sipas Kanunit është më efektive se ligji, pasi mbron copëzimin e tokës dhe ul konfliktet, duke mos futur dhëndrin ndërmjet vëllezërve.

Me këto argumente, zoti Isufi shpjegon se në Veri nuk kishte konflikte në ndarjen pronave në vitet 1990 dhe ligji 7501 nuk gjeti zbatim. Kjo mendësi është aq e fortë në qarqet e Veriut të vendit saqë edhe Valentina, lobuese e fortë për të drejtat pronësore të grave nuk po kërkon pjesë në tokat dhe shtëpinë që babai i saj la në një zonë mjaft të bukur të Tropojës.

“Mua vëllezërit me kanë ofruar tokë, por nuk e dua, sepse nuk kam nevojë”. Në një bisedë pak më të gjatë dhe të sinqertë, ajo thotë se, as vetë nuk po mundet të dalë nga mentaliteti që ka mbetur nga Kanuni mbi pronat.

Megjithëse Shqipëria ka bërë hapa para në të drejtat e grave, ende ka shumë për të bërë në drejtim të barazisë gjinore në të drejtat e pronësisë.

Burimet nga Kadastra pohuan se në vitin 2022, rreth një e pesta e titujve të pronësisë zotëroheshin nga gratë në rang vendi, por në disa zona të Veriut, kjo përqindje është shumë e ulët. Madje mund të gjenden fshatra ku ende asnjë grua nuk zotëron titull pronësie.

Me gjithë problematikat me të drejtat ekonomike dhe dhunën në familje, barazia gjinore ka shënuar përmirësime në vend. Aktualisht është duke u zbatuar Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021-2023 dhe që nga viti 2016, Ministria e Financave kryen buxhetimin gjinor.


Që prej 2015, numri i programeve buxhetore që përfshijnë elemente të politikave me ndjeshmëri gjinore ka shënuar rritje, duke rezultuar tashmë në 76 të tilla, nga 131 programe buxhetore gjithsej në nivel qendror, të cilat përkthyer në shifra alokimesh shkojnë nga 1% e shpenzimeve të përgjithshme publike në 2015, në rreth 10% në vitin 2024.

Por, pavarësisht morisë së ligjeve dhe strategjive, Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë një auditimi për zbatimin e masave që garantojnë barazinë ligjore zbuloi se fondet po shpenzoheshin pa dhënë rezultate të prekshme.

Majlinda Bregu, e cila drejton Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, një institucion që funksionon nën Nismën e Berlinit, tha për “Monitor” se niveli i punësimit të grave në Ballkanin Perëndimor, edhe pse është rritur në 3% vitet e fundit, është ende rreth 45%, dhe është shumë më i ulët se niveli i punësimit të burrave, që arrin rreth 63%.

Znj. Bregu evidenton se, nënat janë veçanërisht të prekura nga mungesa e shërbimeve të kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit. “Mendoni një grua të re që në vitet më aktive, jeton mes barrëve të shumëfishta, të kujdesit ndaj familjes së re, ndaj prindërve që moshohen, vështirësisë për të gjetur kopshtin apo çerdhen për fëmijën e kështu me radhë”.

Nëse duam të fuqizojmë ekonominë, duhet të punësojmë gratë, tha znj. Bregu. Më shumë gra në tregun e punës do të thotë më shumë të ardhura për të gjithë.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se vendi ynë ka pasur progres gjatë dekadave të fundit, por bota nuk është në rrugën e duhur për të arritur barazinë gjinore deri në vitin 2030.

Pasojat sociale dhe ekonomike nga pandemia COVID-19 e kanë bërë situatën edhe më të zymtë. Përparimi në shumë fusha, duke përfshirë kohën e shpenzuar për kujdesin e papaguar dhe punën në shtëpi, vendimmarrjen në lidhje me shëndetin seksual dhe riprodhues dhe buxhetimin e duhur ndaj gjinisë, po lihet pas.

Shërbimet shëndetësore ndaj grave, që deri më sot kanë një financim të dobët, janë përballur me ndërprerje të mëdha. Dhuna ndaj grave mbetet e përhapur. Pavarësisht lidershipit të grave në përgjigjen ndaj COVID-19, ato ende janë nuk sigurojnë pozicione vendimmarrëse që meritojnë.

OKB vë në dukje për Shqipërinë se nevojitet angazhim dhe veprim i guximshëm për të përshpejtuar progresin, duke përfshirë promovimin e ligjeve, politikave, buxheteve dhe institucioneve që avancojnë barazinë gjinore. Investimi më i madh në statistikat gjinore është jetik, pasi më pak se gjysma e të dhënave të nevojshme për monitorimin e Objektivit 5 janë aktualisht në dispozicion.


Indeksi i pabarazisë gjinore u përmirësua gjatë dekadës

Një indeks i INSTAT, që mat pabarazinë gjinore (IPGJ) në vendin tonë është përmirësuar në dekadën e fundit. Nga 0,16% në vitin 2012 në 0,06% në vitin 2022 (IPGJ mund të marrë vlera nga 0, ku arritjet e grave dhe burrave janë të barabarta në 1, ku njëra nga gjinitë ka rezultatet më të këqija të mundshme në të gjitha dimensionet”.

Indeksi i Pabarazisë Gjinore (IPGJ) synon që të paraqesë nga ana sasiore humbjen në zhvillimin njerëzor të mundshëm në një vend, si rezultat i pabarazive gjinore. Indeksi mat 54 tregues që lidhen me barazinë që trajtojnë çështje si përfshirjen e grave në arsimin, në tregun e punës, pjesëmarrjen në politikë, vdekshmërinë amtare etj.

INSTAT raportoi se në vitin 2022, Indeksi i Pabarazisë Gjinore tregon një humbje në zhvillimin njerëzor si rezultat i pabarazisë gjinore prej 6,0%. Ndër vite, të gjithë treguesit e përdorur në llogaritjen e Indeksit kanë pasur përmirësime të lehta, përveç vdekshmërisë amtare, e cila luajti edhe rolin kryesor në luhatjen e këtij treguesi.

Shqipëria, si një vend në tranzicion, ka ende shumë për të përmirësuar në drejtim të të drejtave të njeriut dhe grave gjithashtu, por në renditjen globale, vendi ynë u rendit në vendin e 17 në botë nga 146 shtete, në Indeksin e Hendekut Gjinor të publikuar nga Forumi Ekonomik Global. (Indeksi i hendekut gjinor i WEF mat barazinë gjinore në 146 vende dhe në katër fusha: pjesëmarrjen ekonomike dhe mundësitë, arritjet arsimore, shëndetin dhe mbijetesën dhe fuqizimin politik).

Hendeku gjinor në Shqipëri është më i ulët se të gjitha vendet e rajonit, por la pas edhe disa vende të zhvilluara të Europës, si Italia, Danimarka apo Spanja. Në krahasim me 2021, Shqipëria është përmirësuar me 1 pozicion.

Shqipëria, deri tani, ka mbyllur 80% të hendekut gjinor, nga 91.2% që e ka shteti me më pak diferenca gjinore në botë, Islanda dhe 68.4% që është mesatarja globale. Gratë shqiptare renditen në vendin e 18 për pjesëmarrjen ekonomike dhe mundësitë, nga vendi i 23 një vit më parë.

Për arritjen në arsim, renditemi në vendin e 33-të. Përmirësim ka edhe në treguesin për shëndetin dhe mbijetesën, duke u renditur në vendin e 133, katër pozicione më mirë se në 2022.

Krahasuar me një vit më parë, Shqipëria është përkeqësuar sa i përket treguesit për fuqizimin politik, duke u renditur në vendin e 28, nga vendi i 25. Në rajon, pas Shqipërisë renditen Serbia (38), Mali i Zi (69) dhe Maqedonia e Veriut (73). Kosova nuk përfshihet në indeks.

Raporti i Forumit Ekonomik Botëror (World Economic Forum) vlerësoi vitin e kaluar se gratë nuk do të arrijnë barazi me burrat, edhe për 131 vite të tjera. Me fjalë të tjera, jo deri në 2154. Barazia e përgjithshme është përmirësuar me 4.1 pikë përqindjeje, që kur WEF publikoi indeksin në 2006.

“Nëse në fund të një viti nuk matim dot, sa gra më shumë se një vit më parë ndihen më të sigurta ekonomikisht, sa i kanë shpëtuar dhunës, sa grave u kemi dhënë mundësi të gjejnë një punë apo të kenë nisur një biznes sado të vogël – i kemi mbyllur gojën vetes për të folur për mundësi të barabarta”, thotë Majlinda Bregu.


Me gjithë përmirësimet, PNUD (Programi i Kombeve të Bashkuara për Shqipërinë vlerësoi në një raport të fundit se vendi ynë ende përballet me sfida të mirëdokumentuara në zbatimin e legjislacionit për barazinë gjinore. Gjithashtu, gratë dhe vajzat janë veçanërisht të ndikuara nga varfëria.

Gjendja ekonomike e grave banuese në zonat rurale dhe të pafavorizuara sfidohet më tej nga ndikimi i ndryshimeve klimatike. Për më tepër, ka mungesa në statistikat gjinore, të cilat janë thelbësore për të kuptuar më mirë dhe për t’iu përgjigjur nevojave specifike te gratë dhe vajzat, duke trajtuar kështu pabarazitë e vazhdueshme, vlerësoi PNUD.

Hendeku në paga pas përmirësimit disavjeçar u përkeqësua në vitin 2022

Burrat paguhen më shumë sesa gratë në pjesën më të madhe të profesioneve. Madje të dhënat e INSTAT tregojnë se paga mesatare e meshkujve shënoi rritje më të shpejtë në 2022, në raport me atë të femrave. Gratë kishin pagë mesatarisht 6.2% më të ulët se burrat në përkeqësim në krahasim me vitin 2021 ku hendeku gjinor në paga ishte 4.5%.

Në terma me afatgjatë, hendeku i gjinor i pagave është përmirësuar në vitet e fundit, nga 10.1% në vitin 2019 në 6.2% më 2022. Mesatarisht, një punonjës në vend u pagua me 61,898 bruto në muaj në 2022, me rritje nominale prej 8.2%. Për meshkujt, paga mesatare ishte 63,773, me rritje prej 9.2%. Për femrat, paga mesatare arriti në 59,813, ose 7.3% më shumë sesa një vit më parë.

Rritja me ritme më të larta e pagave të burrave në krahasim me ato të grave thelloi sërish hendekun gjinor mes pagesave të të dy gjinive. Gratë u paguan 6.2% më pak sesa burrat në 2022, nga 4.2% që kishte zbritur diferenca në 2021.

Nga 36 grup-profesione, që raporton INSTAT, vetëm në 5 prej tyre gratë paguhen më shumë.

Fusha ku gratë “shkëlqejnë” është drejtimi. Sipas INSTAT, femrat në grup-profesionin “Drejtues administrativë dhe komercialë” kishin një pagë mesatare mujore bruto prej 189,393 në vitin 2022.

Ky nivel, jo vetëm që është paga më e lartë nga të gjithë grup-profesionet në vend, por është dhe 11.1% më e lartë sesa e meshkujve. Në krahasim me një vit më parë, paga për këtë grup-profesion u rrit me rreth 10%, si për meshkujt ashtu dhe për femrat.

Punonjës në profesionet e elektro-teknologjisë është grupi tjetër, ku femrat marrin më shumë se meshkujt. Paga e femrave në këtë grup është 64,365 lekë, ose 10.7% më shumë sesa burrat.

Në dy profesionet e tjera, “Punëtorë shërbimi dhe ndihmës” dhe “Punonjës të shërbimeve personale dhe të mbrojtjes”, gratë marrin përkatësisht 1.3% dhe 1.1% më shumë se burrat.

Administrata është institucioni që nuk i “diskriminon” femrat në paga, teksa “Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë” marrin njësoj, rreth 92 mijë lekë në muaj.

Ndërsa në arsim, preferenca është te meshkujt, që paguhen gati 80 mijë lekë në muaj, ose 12% më shumë sesa gratë e të njëjtit profesion.

Edhe në shëndetësi, ekziston diferenca. Grup-profesioni “Specialistë të shëndetësisë” i paguan meshkujt 85.8 mijë lekë në muaj, ose 13.8% më shumë sesa femrat. Për “Asistentë të specializuar të shëndetësisë”, paga mujore e burrave është 65.8 mijë lekë, ose rreth 8% më shumë sesa e grave të të njëjtit profesion.

Diferenca më e lartë femra-meshkuj është në prodhim, ku rekordin e mban industria, që i paguan burrat 24.6% më shumë sesa gratë. (shiko në fund grafikun e pagave sipas sektorëve dhe gjinisë).

Ndonëse paguhen më pak sesa burrat, gratë kanë nivel më të lartë arsimimi. Sipas INSTAT, vajzat tentojnë më shumë që të ndjekin Universitetin, në krahasim me djemtë. Në total, 21.3% e femrave mbi 25 vjeç kanë mbaruar arsimin e lartë, përkundrejt 18.2% të meshkujve.

Në biznes dominojnë burrat

Gratë në Shqipëri ende kanë një nivel të ulët përfaqësimi në drejtimin dhe zotërimin e bizneseve në vend, në raport me burrat, por ky tregues ka ardhur gjithnjë në përmirësim dy dekadat e fundit.

Në vitin 2008, gratë ishin pronare dhe administratore në 24.8% të ndërmarrjeve aktive në vend. Gjatë vitit 2022, kur datojnë edhe të dhënat më të fundit, rreth 31.2% e bizneseve aktive drejtoheshin nga gratë, ndërsa 68.8% nga burrat.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, Tirana është qarku me numrin më të lartë të grave që drejtojnë një biznes me 33,5%. Më pas renditen Lezha, Vlora dhe Berati, ndërsa qarqet e Dibrës dhe Kukësit kanë përqindjen më të ulët të sipërmarrjeve të drejtuara nga gratë me 24 dhe 21% secila.

Përqindja e pronareve ose administratoreve është më e lartë në ndërmarrjet e vogla (me 1-4 të punësuar), teksa në kategoritë e tjera të ndërmarrjeve (5-9 të punësuar, 10-49 dhe mbi 50 punonjës) përqindja e pronareve/administratoreve është rritur, krahasuar me vitin paraardhës.

Numri i bizneseve me pronare ose administratore është më i madh në sektorin e shërbimit, me 33.5% të bizneseve totale në raport me sektorin prodhues, ku vetëm 17% e grave ishin pronare ose administratore më 2022. Kjo diferencë është e pranishme në të gjitha qarqet e vendit.

Një hulumtim i Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim (QAGJZH) i vitit të kaluar evidentoi se 9 nga 10 gra sipërmarrëse jetojnë në zona urbane, shumica e tyre në Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Durrës dhe gati 33% e grave sipërmarrëse janë midis 30 dhe 39 vjeç. Gratë në Shqipëri përfshihen në biznes rreth të 30-ave dhe pothuajse 3 në 4 gra sipërmarrëse janë të martuara dhe kanë fëmijë.

Gjithashtu, një në tre gra të anketuara kanë mbaruar arsimin e lartë, pra kanë një diplomë Bachelor, Master ose Doktoraturë, kryesisht në fushat e ekonomisë, biznesit dhe ­financës, ndërsa 9 nga 10 gra sipërmarrëse kishin të paktën arsim të mesëm.

Arsyeja kryesore për 40% të grave se pse nisin një biznes, ishte motivimi që të mbështesin familjet me të ardhura shtesë. Arsyet kryesore që vijojnë pas kësaj janë shtimi i të ardhurave, ndjekja e një ëndrre ose pasioni dhe plotësimi i mungesave në treg, por vetëm një në njëzet gra sipërmarrëse u shprehën plotësisht të kënaqura me punën si pronare e sipërmarrjes.

Dy faktorët që do t’i sillnin më shumë kënaqësi nismës së tyre janë “më shumë të ardhura nga biznesi” dhe “më shumë mbështetje nga bashkëshorti, familja dhe komuniteti”. Orët mesatare të punës për një grua sipërmarrëse që nuk ka fëmijë janë 44.7 orë/javë, kurse për gratë me fëmijë, mesatarja është 57 orë/javë.

Anketa e QAGJZH verifikoi në vitin 2023 se shumica e sipërmarrjeve të anketuara ishin themeluar në periudhën mes viteve 2010-2019. Viti me numrin më të lartë të regjistrimeve të reja është 2021 (10.9%). Vihet re se në vitet e fundit janë shtuar sipërmarrjet në fushën e komunikimit, financës etj.

Sipërmarrjet e drejtuara nga gratë operojnë kryesisht në tregtinë me pakicë (19%), shërbimet e mirëqenies (12%), modë (11%) etj., teksa 3 në 4 gra sipërmarrëse janë të regjistruara zyrtarisht si person­ fizik. Gratë e regjistruara si aksionere në një shoqëri aksionere kryesisht zotëronin 50-60% të aksioneve, ndërsa 70% e grave sipërmarrëse e kanë themeluar vetë biznesin që drejtojnë sot.

Më shumë se 10% gra sipërmarrëse e kanë blerë, dhe më pak kaq e kanë trashëguar kompaninë. Në përgjithësi, më shumë se gjysma e grave sipërmarrëse (53.9%) kanë përdorur kursimet e familjes si burimin kryesor për të themeluar një biznes. Bankat tregtare ishin burimi kryesor i financimit vetëm për 10% të grave sipërmarrëse.

Gratë sipërmarrëse të anketuara pohuan se faktorët që ndikojnë më shumë në biznesin e tyre janë fuqia blerëse, taksat e larta, kostoja e punësimit të punonjësve të rinj dhe mungesa e sta­fit të trajnuar.

Perceptimi i shërbimeve dixhitale dhe IT brenda përbrenda kompanive është mjaft pozitiv te gratë sipërmarrëse. Pothuajse 67.4% e tyre mendojnë se dixhitalizimi dhe IT e rrisin e­fikasitetin dhe produktivitetin e biznesit.

Kombet e Bashkuara, në një hulumtim për çështjet gjinore në rajon, nxorën në dritë perceptimin e përbashkët nga pjesëmarrës shqiptarë se ndërsa vende të tjera diskutojnë për pagë të barabartë për punë të barabartë dhe përfaqësimin e grave në role drejtuese, në Shqipëri, popullata është ende e fokusuar në çështje si e drejta për të jetuar të sigurt, pa dhunë dhe në prosperitet. Kështu, siguria dhe prosperiteti në Shqipëri shihen si prioritete, ose si një hap i parë i domosdoshëm përpara se të merret parasysh barazia gjinore.

Shqipëria ka një përfaqësim të grave në biznes në nivele më të larta se rajoni. Sipas të dhënave nga Këshilli i Bashkëpunimit, vetëm 15.3% e firmave në Ballkanin Perëndimor menaxhohen prej grave, teksa ky tregues në Shqipëri është më shumë se 31%.


Tregu i punës, 23.5% e grave të punësuara nuk marrin pagë

Ndërmjet 2012 dhe 2023, pjesëmarrja e grave në tregun e punës është përmirësuar, por ato ende përfshihen më pak se burrat. Gratë priren për t’u angazhuar në punët e familjes pa pagesë në raport me burrat. Sipas të dhënave nga Anketa e Forcës së Punës, në vitin e kaluar, 68.6% e grave në moshë pune (15-64 vjeç) ishin në punë ose në kërkim të një pune, në krahasim me 81.8% të burrave.

Në vitin 2012, hendeku i pjesëmarrjes së burrave dhe grave në tregun e punës ishte 15,5%, teksa gjatë viteve deri më 2023 është ngushtuar në 13.2% .

Gratë mbeten jashtë forcës së punës, kryesisht pasi janë nxënëse, studente ose në trajnim të mëtejshëm, përvojë pune pa pagesë (18,3%) ose duke përmbushur detyrat shtëpiake (16,9%). Vetëm 0,8% e burrave kanë si arsye të inaktivitetit përmbushjen e detyrave shtëpiake dhe 25,0% e tyre janë studentë ose nxënës.

Si rrjedhojë, përqindja e burrave në moshë pune që punojnë është më e madhe se e grave. Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 71,3% për burrat dhe 58,9% për gratë e kësaj grupmoshe në vitin 2022.

Rreth 45,4% e grave janë të punësuara me pagë, ndërsa 23,5% e tyre janë punëtore pa pagesë në biznesin e familjes. Për burrat, puna pa pagesë nuk është aq e zakontë sa për gratë, pasi vetëm 13,2% kanë pohuar se punojnë pa pagë.

Gratë gjithashtu janë më shumë të angazhuara në sektorë me vlerë të ulët të pagës, si bujqësia dhe shërbimet. Teksa një pjesë e konsiderueshme e burrave janë të vetëpunësuar 33,1%, gratë e vetëpunësuara përbëjnë 20,4%. Për gratë dhe burrat e moshës 15-64 vjeç mbizotëron punësimi në sektorin e bujqësisë.

Në vitin 2022, në sektorin bujqësor janë punësuar 40,1% e të punësuarave, duke pësuar rritje prej 0,1 pikë përqindje, krahasuar me një vit më parë.

Sektori i dytë që zë peshën më të madhe në punësimin e grave dhe burrave pas sektorit të bujqësisë është tregtia, transporti, hoteleria, shërbime të biznesit dhe administrative, përkatësisht me 22,5% të punësuara gra dhe 30,9% burra.

Mbyllja e hendekut gjinor në tregun e punës do të rriste PBB me 10%

Mungesa e aktivizimit të grave në tregun e punës, përveçse ndikon negativisht në jetën ekonomike dhe sociale të një femre, ndikon negativisht edhe tek ekonomia në tërësi.

Fondi Monetar Ndërkombëtar përllogariti vitin e kaluar se, mbyllja e hendekut të pjesëmarrjes së femrave në fuqinë punëtore do të rriste nivelin e PBB-së me 5%. FMN merr në konsideratë popullsinë meshkuj dhe femra në moshë pune dhe produktin e një ekonomie ku punonjëset femra kanë tregues të njëjtë të tregut të punës si punëtorët meshkuj, pra nuk ka hendek gjinor.

Zbatimi i kësaj analize në Shqipëri tregon se rritja e pjesëmarrjes së femrave në fuqinë punëtore do të rriste nivelin e PBB-së me 5%. Gjithashtu, mbyllja e hendekut të pagave, orëve të punës dhe diferencës në profesion, do të rezultonte në një rritje të nivelit të PBB-së me 10%.

FMN arriti në konkluzionin se politikat e përgjegjshme gjinore mund të përmirësojnë pjesëmarrjen e femrave në tregun e punës në të gjithë nivelet e arsimit dhe të reduktojnë dallimet gjeografike.

Llogaritjet e stafit të FMN-së tregojnë se Shqipëria shpenzoi vetëm 0.7% të buxhetit të vitit 2022 për politika aktive të tregut të punës. Shifra të ngjashme janë përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2024, ku shpenzimet bruto për tregun e punës dhe politikat e punësimit janë 0.09% e buxhetit të vitit 2024.

Përveç kësaj, politikat që trajtojnë pjesëmarrjen e femrave në fuqinë punëtore kanë pasur sukses të kufizuar, me vetëm 1% të grave që marrin pjesë në programe aktive të tregut të punës. Arritja në arsim vetëm nuk mund të sigurojë rritjen e nevojshme të pjesëmarrjes së femrave në fuqinë punëtore apo të zvogëlojë hendekun gjinor të pagave.

Prandaj, sipas FMN, Shqipëria duhet të forcojë sistemin e mbështetjes për fëmijët dhe të moshuarit nëpërmjet zgjerimit të shërbimeve institucionale, pasi nevojat e kujdesit në Shqipëri plotësohen kryesisht nga gratë. Kjo përfshin rritjen e aksesit në shërbimet e kujdesit për fëmijët dhe programet pas shkollës.


Femrat dominojnë qeverinë, meshkujt nivelet menaxheriale

Femrat kanë pozicion dominues në nivele drejtuese në Shqipëri, por në rrafshin menaxherial, burrat e kanë shumicën.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në vitin 2022, rreth 80% e posteve ministrore në Shqipëri mbahen nga femrat me gati dyfishim me vitin 2020, kur 47% e ministrave ishin gra.

Në vitin 1920, në Kuvendin e Shqipërisë nuk kishte asgjë grua. Epoka e socializmit mund të njihet për diktaturë, por të paktën në periudhën 1970-1990, në Kuvend femrat përbënin 30%.

Me ardhjen e demokracisë, pushteti ligjvënës u kthye sërish te meshkujt, që dominonin me gati 94% të pjesëmarrjes në këtë institucion të lartë në 2011. Dekadën e fundit, pjesëmarrja e grave në Kuvend është rritur sërish, duke arritur në 2021-2022 në rekordin historik të 36%, ndonëse ende në pakicë në raport me burrat.

Por, nëse ka një vend ku ato dominojnë, është në qeverisje. Në qeverinë aktuale, nga 16 ministri, 10 drejtohen nga gra.

Në fund të vitit 2023, Shqipëria renditej e para në botë për pjesëmarrjen e femrave në kabinetin qeveritar, me 67% të totalit, e ndjekur nga Finlanda, me 64% dhe Spanja, me 63%, sipas indeksit të fuqizimit të gruas, të publikuar nga programi i CFR për gratë dhe politikën e huaj.

Aktualisht kjo peshë ka zbritur në 62.5% pas ndryshimeve të fundit në qeveri, që larguan një ministre dhe shtuan një ministër.

Ndryshe nga qeveria, në Administratë dominojnë meshkujt në drejtim. Sipas INSTAT, përqindja e femrave në pozicione drejtuese në vitin 2022 ishte 35%, në ulje nga 35.5% vitin e mëparshëm.

Ndër vite, përfaqësimi i grave është rritur edhe në nivel lokal. Ndryshimet në Kodin Elektoral përmirësuan ndjeshëm përfaqësimin gjinor edhe në organet e qeverisjes vendore. Në përbërje të listave me kandidatë në zgjedhjet për kryetar bashkie të vitit 2015, kishte 10,8% gra.

Përbërja e listave në zgjedhjet për Këshillat Bashkiakë në vitin 2015, ishte 49,4% gra. Përqindja e grave ndër kandidatët fitues në zgjedhjet vendore të atij viti ishte 34,8%, ndërsa sipas vlerësimit të bërë në dhjetor 2017, përqindja e grave ndërmjet këshilltarëve të bashkive është 36,9%.

Në zgjedhjet vendore të vitit 2019, kandidatët fitues për kryetar bashkie ishin 13,1%. Në përbërje të listave në zgjedhjet për Këshillat Bashkiakë në vitin 2019, kishte 49,0% gra. Këshillat Bashkiakë kanë 43,7% gra fituese në përbërje të tyre.

Në strukturat e policisë, numri i grave është shumë i ulët dhe nuk ka ndryshime të konsiderueshme në pesë vitet e fundit. Për vitin 2022, ndër 10.868 punonjës të policisë, klasifikuar sipas gradave dhe gjinisë, 14,8% janë gra.

Në nivelet e larta drejtuese, asnjë grua nuk ka qenë në pozicionin Drejtues Madhor. Në vitin 2022, vetëm një grua zë nivelin e Drejtuesit të Parë.

Numri i punonjëseve vjen duke u rritur me uljen e nivelit të gradave, duke arritur nivelet më të larta për gradat Inspektor dhe Civil. Në vitin 2022, në totalin e grave të punësuara, gratë Inspektore përbëjnë 41,1% dhe gratë Civil 38,2%.

Numri i burrave në strukturat e Policisë është shumë i lartë krahasuar me numrin e grave, me përjashtim të nivelit Civil, ku numri i grave tejkalon atë të burrave.


Aksesi në financa, hendeku në mbyllje

Aksesi në shërbimet financiare te bankat nuk ka shumë diferenca gjinore. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë mbi numrin e depozituesve, huamarrësve, llogarive depozituese dhe huamarrëse, pasqyrojnë diferenca të vogla midis burrave dhe grave, gjatë periudhës 2018-2022.

Në vitin 2022, numri i huamarrësve në bankat tregtare ishte 324.367, prej të cilëve 56,5% ishin burra dhe 43,5% gra. Gjatë periudhës 2018-2022, numri i huamarrësve gra, edhe pse më i ulët se i burrave, është rritur.

Numri i depozituesve në bankat tregtare, në vitin 2022 ishte 2.502.134, prej të cilëve 55,9% janë burra dhe 44.1% janë gra. Në vitin 2019, pjesa e grave përfituese nga skemat mbështetëse të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, ka pësuar rënie të lehtë nga 46,0% që shënonte një vit më parë, në 43,6%.

Në Fondin e Ekonomisë Kreative dhe Fondi i Start-Up, përqindja e grave përfituese nga skemat mbështetëse është më e lartë krahasuar me burrat, përkatësisht 80,0% dhe 78,9%.

Pasojat e tranzicionit demografik

Prej më shumë se tre dekadash, Shqipëria po përjeton tranzicion demografik me rënien e lindjeve dhe emigracion të fortë që vitet e fundit ka nisur të përshkallëzohet edhe për gjininë femërore.

Me të dhëna zyrtare, popullsia e vendit ishte 2,761,785 milionë banorë në vitin 2023, nga të cilët 50.5% ishin femra. Nga viti 2011 deri në vitin 2023, numri i femrave në vend ka rënë me 56,829 ose rreth 4%, ndërsa për popullatën e meshkujve, rënia ishte mbi 6%.

Rënia e popullsisë femërore nisi të forcohej pas vitit 2020. P.sh. në vitin 2022, INSTAT raportoi 13,227 femra më pak se në vitin 2021 dhe në vitin 2023 u raportuan 11,688 femra më pak se në 2022. Emigracioni dhe raporti gjinor në lindje ndikuan në këtë përkeqësim.

Migracioni neto i grave shënoi -12.496 gra të emigruara më shumë sesa të kthyera në 2022.

Raporti gjinor u përkeqësua më tej në vitin 2022, ku për çdo 100 vajza kanë lindur 107 djem. Ky raport është më i lartë se raporti natyral, i cili është 105.

Gjatë viteve, mosha mediane e grave është më e lartë se ajo e burrave për arsye se jetojnë më gjatë. Në vitin 2022, mosha mediane për burrat është 38,1 vjeç, ndërsa për gratë, 39,7 vite (50% e grave janë mbi këtë moshë dhe 50% nën këtë moshë).

Në vitin 2022, jetëgjatësia në lindje është llogaritur të jetë 77,3 vite për burrat dhe 80,9 vite për gratë. Kjo do të thotë se gratë jetojnë 3,6 vite më shumë se burrat.

Eksperti i çështjeve demografike, Ilir Gëdeshi, thotë se përgjithësisht migrimi shqiptar ka qenë i paraprirë nga meshkujt, ndërsa femrat pasonin në një periudhë të mëvonshme, nëpërmjet bashkimit familjar ose martesave.


Të dhënat tregojnë se popullsia e femrave ka rënë në ritme dyshifrore në shumicën e qarqeve ndërmjet censit të fundit nga 2011 deri më 2023. Sipas të dhënave të INSTAT, tkurrja më e fortë u shënua në Dibër ku numri i fermave ka rënë me 28% në periudhën e marrë në krahasim, e ndjekur nga Gjirokastra, me rënie 27.9%, Berati me 24% dhe Kukësi me 24%, qarqe që kanë pasur edhe rënien më të madhe të popullsisë kryesisht nga emigracioni.

Në anën tjetër, rritje të popullsisë femërore ka pasur në Qarkun e Tiranës me rreth 22% ndërmjet 2011-2022, në Durrës, me rreth 7%, dhe në Vlorë, me rreth 0.06%.

Popullata e femrave do të vijë në rënie vitin e ardhshëm, pasi lindjet po bien në mënyrë drastike, por për gjininë femërore edhe më shumë. Koeficienti Bruto i Riprodhimit (KBR) është një tregues i mirë për matjen e rritjes së brezave të ardhshëm.

Ai mat normën me të cilën gratë zëvendësojnë veten gjatë viteve të jetës riprodhuese. Në vitin 2022, KBR-ja është 0,59 që do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 41% larg zëvendësimit të vetvetes. Ky tregues ndikohet direkt nga sjellja riprodhuese e grave. Me këtë ecuri, popullsia e Shqipërisë pëson rënie në mënyrë të pakthyeshme, pasi do të ketë gjithnjë e më pak femra, të cilat janë baza e riprodhimit.

KBR-ja po përkeqësohet me shpejtësi, pasi në vitin 2021, ishte 0,63 që do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 37% larg zëvendësimit të vetvetes, ndërsa në vitin 2022 ishin 41% larg zëvendësimit të vetes.

Ky tregues ndikohet direkt nga sjellja riprodhuese e grave dhe nga preferenca për të lindur djem.

Arsim, pandemia thelloi braktisjen e shkollës nga vajzat

Përvojat globale dhe ato vendase kanë treguar se nënat dhe gratë e arsimuara që punojnë rrisin shanset për barazinë gjinore. Nënat e arsimuara luajnë rol të rëndësishëm në edukimin e fëmijëve edhe në mendësinë për rolin e gruas.

Gjithashtu anketat e brendshme kanë treguar se gratë e arsimuara që punojnë priren të angazhojnë në punët e shtëpisë burrat dhe fëmijët meshkuj dhe kjo shihet si një investim për barazinë gjinore në të ardhmen.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se 51.4% e femrave mbi 25 vjeç në vitin 2022 kishin arsimin bazë në raport me 41.9% të meshkujve, ndërsa me arsim të mesëm në këtë grupmoshë ishin vetëm 27.3% e femrave dhe 39,9% e meshkujve. Pjesëmarrja e vajzave në arsimin e mesëm është përkeqësuar ndërmjet 2018 dhe 2022.

Gjithashtu në popullsinë mbi 25 vjeç, 19.5% e femrave ishin me arsim të lartë kundrejt 16.9% të meshkujve. Ky tregues është përmirësuar për të dyja gjinitë.

Rezultatet e pjesëmarrjes në arsim sipas gjinisë në ciklet arsimore tregojnë për ekzistencën e diferencave gjinore.

Pandemia Covid-19 e përkeqësoi më tej braktisjen e shkollës në arsimin parauniversitar, por ky fenomen po bëhet shqetësues te femrat.

Gjatë vitit 2022, rreth 10% e vajzave në moshë shkollore nuk e ndjekin arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar. Në vitin 2014, ky tregues ishte më pak se 2%.

INSTAT raportoi se, niveli i pjesëmarrjes bruto në arsimin e detyrueshëm është 96,9% për djemtë dhe 90,4% për vajzat. Edhe pjesëmarrja në nivelin e mesëm të studimeve është më e lartë për djemtë se për vajzat, përkatësisht 95,7% dhe 90,2%, ndërsa në nivelin universitar, raporti përmbyset, ku pjesëmarrja është më e lartë për vajzat, me 74,7% krahasimisht me djemtë, me 51,5%.

Kjo statistikë tregon se në vitin 2022, nga 100 vajza që kanë moshën dhe detyrimin për të ndjekur arsimin 9-vjeçar, shkojnë në shkollë vetëm 90 nga më shumë se 98 që ishte pjesëmarrja në vitin 2014.

Diferencat gjinore në arsim pasojnë edhe diplomat. Gjatë vitit akademik 2021-22, në arsimin e detyruar u diplomuan rreth 30 mijë nxënës, nga të cilët 52,0% ishin djem dhe 48,0% vajza. Në këtë vit akademik u diplomuan rreth 30 mijë nxënës në arsimin e mesëm, ku sipas gjinisë ishin 48,9% djem dhe 51,1% vajza.

Numri i të diplomuarve në arsimin e lartë në vitin akademik 2021-22 ishte afërsisht 31 mijë studentë, ndër të cilët vajzat përbënin 66,3%. Përqindja që zënë të diplomuarat vajza në krahasim me një vit më parë është rritur me 0,2 pikë përqindje.

Fushat në të cilat janë diplomuar më shumë femrat krahasimisht me meshkujt janë “Shkenca arsimi” (80,4%), ndjekur nga “Arte dhe shkenca humane” (80,1%) dhe “Shkenca sociale, gazetari dhe informacion” (78,8%).

Fushat në të cilat janë diplomuar më shumë meshkujt në krahasim me femrat janë “Shërbime” (64,8%), “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” (62,9%) dhe “Teknologjia e informacionit dhe komunikimit” (58,2%)

Në vitin akademik 2022-23, në stafin mësimor mbizotërojnë gratë në arsimin 9-vjeçar dhe atë të mesëm të lartë, përkatësisht 77,4% dhe 69,8% e mësuesve të secilit nivel.

Në nivelin e arsimit të lartë, në stafin akademik me kohë të plotë, gratë me titull “Profesor” përbëjnë 45,8%, ato me titull “Doktor“ 62,1% dhe akademikë dhe pedagogë pa tituj 59,2% të totalit për secilën kategori.

Barazia në shëndet, shqetësuese vdekja e nënave në lindje

Sa i përket treguesit të shëndetit nuk ka ndasi të forta gjinore, por Shqipërisë i duhet ende punë të përmirësojë vdekshmërinë amtare, një tregues që luhatet vit pas viti. P.sh. në vitin 2014, koeficienti i vdekshmërisë amtare (numri i vdekjeve të nënës për 100,000 lindje të gjalla) ishte 2.8, në vitin 2019 arriti në 7, teksa në vitin 2022 nuk u shënua asnjë rast.

Një krahasim i vitit 2020, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, tregoi se Shqipëria e kishte këtë tregues më të lartë se Rajoni. Ulja e këtij treguesi është një nga objektivat më të rëndësishëm të mijëvjeçarit nga Kombet e Bashkuara.

Gratë në Shqipëri jetojnë më gjatë se burrat, por ato vuajnë nga një barrë më e lartë e sëmundjeve kronike. Jetëgjatësia në Shqipëri arriti 79,1 vjeç në vitin 2022, me një diferencë prej 1.5 vitesh me mesataren e BE-së. Në Shqipëri, jetëgjatësia për gratë ishte 80,9 vjet dhe 77,4 vjet për burrat, me një diferencë 3,5 vite në vitin 2022.

Një studim i Institutit McKinsey i vitit 2024 vlerëson se një grua kalon mesatarisht nëntë vjet në shëndet të dobët, gjë që ndikon në aftësinë e saj për të qenë e pranishme dhe/ose produktive në shtëpi, në fuqinë punëtore dhe në komunitet dhe ul potencialin e fitimit. Gratë kanë më shumë gjasa të preken nga një gjendje specifike gjinore midis moshës 15 dhe 50 vjeç.

Ndërlikimet e shtatzënisë mund të rrisin rrezikun për sëmundje kronike; për shembull, hipertensioni në shtatzëni mund të bëhet kronik. Shëndeti i mirë ndihmon nënën dhe foshnjën, me përfitime që shtrihen përtej shtatzënisë dhe lindjes.

Të dhënat e brendshme nga INSTAT tregojnë se patologjitë gjatë shtatzënive janë rritur në raport me numrin e grave shtatzëna. P.sh. në vitin 2022 u identifikuan 8413 raste të shtatzënive si problematike, teksa lindën rreth 24,600 foshnja. Në vitin 2014 lindën mbi 35,700 bebe dhe kishte 9614 gra shtatzëna me patologji.

Të dhënat e brendshme nga INSTAT tregojnë se 99,96 e lindjeve më 2022 u asistuan nga profesionistët nga 99.97 që ishte ky tregues në vitin 2021.

Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë treguan se pas pandemisë kontrollet e grave për depistimin e kancerit të mitrës dhe gjirit pësuan rënie të ndjeshme.

Aborti gjithashtu është i përhapur dhe është selektiv. Organizatat në mbrojtjen e grave tregojnë se Shqipëria kryeson Europën për abortin selektiv, (ndërprerje e shtatzënisë për shkak të gjinisë femërore). Në vitin 2023, raporti gjinor në lindje arriti në 107 djem për 100 vajza, nga 105 djem për 100 vajza që është raporti natyror në vendin tonë.

Në vitin 2022, u numëruan 4199 aborte gjithsej ose 170 aborte për çdo 1.000 lindje të gjalla. Raporti lindje-abort tregon se për çdo 5,9 lindje, ka ndodhur paralelisht edhe një abort. Në vitin 2014, kishte një abort për 5,8 lindje.

Abortet spontane mbajnë peshën më të madhe të aborteve, duke përbërë 83,9% të totalit. Pjesa më e madhe e aborteve kryhen nga gratë e 20-34 vjeç, e cila është dhe grupmosha më riprodhuese e gruas. Ndër vite, vihet re se gratë me nivel më të ulët arsimor kanë përqindjen më të lartë të aborteve të kryera.

Në vitin 2022, 29,4% e grave me arsim 9-vjeçar kryen aborte, përkundrejt 24,6% e grave me arsim të lartë. Sipas statusit martesor, 71,6% e aborteve janë kryer nga gratë e martuara dhe 7,5% nga gratë beqar

Në vitin 2022, përqindja e aborteve të kryera nga gratë e punësuara shënoi rënie prej 1,7 pikë përqindje, krahasuar me vitin e kaluar.

Kur vjen fjala për shkaqet e vdekjeve, ato janë njëjta si për burrat dhe gratë. Më 2022, sëmundjet e qarkullimit të gjakut janë shkaku kryesor i mortalitetit në 56,0% të rasteve te gratë dhe 53,3% tek burrat.

Grup-sëmundjet me simptoma të papërcaktuara mirë përbëjnë shkakun e dytë kryesor të vdekjeve për të dyja gjinitë, ku përqindja e vdekjeve te gratë është më e lartë se te burrat, 23,9% me 17,2%. Më 2022, sëmundjet tumorale kanë përqindjen më të lartë të vdekjeve te burrat me 15,7% të rasteve totale krahasuar me gratë 10,8%.

Analiza sipas grupmoshave për sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”, tregon diferenca të larta gjinore. Për grupmoshën nën 65 vjeç, numri i vdekjeve të burrave nga këto sëmundje për 100.000 banorë është afërsisht dy herë më i lartë se ai i grave./ Monitor