Më 28 nëntor 1932, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë, u zhvillua gara automobilistike Tiranë-Durrës e kthim, e cila u fitua nga italiani Massarini, me një shpejtësi 57 km/orë, pas tij doli Andrea Shkreli –

Memorie.al / Shqipëria e fillimit të shekullit XX-të, karakterizohej nga rrugë karvanesh të cilat lidhnin qendrat më të rëndësishme të vendit me bregdetin dhe vendet fqinje për shkëmbime tregtare. Rrugët që kalonin nëpër luginat e Shkumbinit, Vjosës, Drinit, Devollit dhe gjatë bregdetit. Në këtë periudhë, ekzistonin gjurmë të rrugës Egnatia e cila, niste me dy degë, nga Dyrrahu dhe Apolonia, shkonte nëpër Klodiana (Peqin), Skampini (Elbasan), Lyhnidi (Ohri), Heraklea (Manastiri), Edesa, Pella dhe Tesaloniku. Gjatësia e kësaj rruge ka qenë 395 km. Kjo rrugë u zgjat deri në Bizant në shekullin e I të e.r. Shpallja e pavarësisë, e gjeti vendin me 160 km. rrugë karrosh (Shkodër-Lezhë, Lezhë-Shëngjin, Gjirokastër-Kakavi, Delvinë-Sarandë, Durrës-Tiranë).

Makina e parë në Shqipëri

Makina e parë në Shqipëri mendohet se daton në vitin 1913, pronari i së cilës ka qenë shqiptari nga Çamëria F. Sulioti. Automjeti ka qenë i markës italiane “Fiat”.

Gjithashtu mund të lexoni
“Partizanët e ’45-ës, nuk u pritën me trëndafila në Veri, pasi Lufta kishte mbaruar dhe s’kishte mbetur këmbë pushtuesi, por ‘reaksionarët’ antikomunistë…”/ Refleksionet e publicistit të njohur
“Ish-koloneli i UDB-së, Hashim Toplica, që vuante me ne dënimin në kampin e Repsit, që në vitin 1969, parashikoi ekzaktësisht rrëzimin e regjimit komunist…”/ “Kujtimet e ish-të dënuarit politik, Shkëlqim Abazi
Dekret Ligji “Mbi shërbimin e Automobilave dhe të çdo qerreje me fuqi motori”

Këshilli i Lartë i Shtetit Shqiptar, më 10 Prill 1924, miraton Dekret Ligjin “Mbi shërbimin e Automobilave dhe të çdo qerreje me fuqi motori”. Sipas këtij ligji; “Qerre me fuqi motori quhen automobilat, motoçikletat, traktorët dhe çdo qerre tjetër me motor, që punon në rrugë e sheshe publike dhe nuk ka lidhje me vijat e udhës së hekurt (hekurudha)”. Një shtetas për të drejtuar një mjet duhet të ishte i pajisur me Leje-Veprimi (Leje Qarkullimi) dhe Leje-Shoferi (Leje-drejtimi). Mosha e marrjes së lejes ishte 20 vjeç.

Qarkullojnë 483 qerre me motor (mjete)

Në vitin 1926, numri i qerreve me motor në Shqipëri sipas Prefekturave ishte: Shkodër – 47; Tiranë – 85; Durrës – 70; Elbasan – 25; Berat – 33; Vlorë – 21; Korçë – 119; Gjirokastër – 83. Në total 483 qerre me motor.

Shoqata e Transportit 1926

Në vitin 1926, numri më i madh i qerreve me motor, ndodhej në Korçë (gjithsej 119), ku ishte e zhvilluar “Shoqata e Automobilistëve”, e cila organizonte gara me makina.

Gara e parë automobilistike

Në 14 Mars 1927, në Korçë, u organizua gara e parë automobilistike. Gara është organizuar nga “Shoqata e Automobilistëve” në Korçë.

Krijimi i Shoqërisë Automobilistike “Tirana”

Në vitin 1928, u krijua Shoqëria Automobilistike “Tirana”, gara e parë me motoçikleta u zhvillua më 28 nëntor 1932, me rastin e 26-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Tiranë-Durrës e kthim. Gara u fitua nga italiani Massarini, me një shpejtësi 57 km/orë, pas tij doli Andrea Shkreli.

Patenta e parë

Leje shoferi (leje-drejtimi), është një ndër dokumentet më të vjetër qe kemi të ruajtur deri më sot, lëshuar më 7 Qershor 1929. Patenta i është lëshuar personit H. B., lindur në Durrës.

24 Shtator 1929 zhvillohet gara e parë automobilistike në qytetin e Vlorës

Më 24 shtator të vitit 1929, zhvillohet gara e parë automobilistike në qytetin e Vlorës.

Në vitin 1931, u mbajt gara e dytë e automobilizmit

Në vitin 1931, u mbajt gara e dytë e automobilizmit në Shqipëri, në të njëjtën pistë ku ende rravgonin gjurmët e gomave dhe përshtypjet e së parës. Kjo garë pati pjesëmarrje më të lartë, më shumë tifozë, ethe e konkurrencë edhe më të forta se e para. Emri i përveçëm i garës spikati menjëherë, ai ishte Vlash Rama, një durrsak me “Renault”, i cili hyri i pari në finish. Me 21 minuta e 08 sekonda, siç thotë kronika e kohës, ai rrëmbeu trofeun “Vlora”.

Klubi Turistik dhe Automobilistik Mbretnuer – Viti 1932

Një dokument që po publikojmë në këtë shkrim, hedh dritë mbi ekzistencën e mundshme të Klubit Turistik dhe Automobilistik Shqiptar. Mendohet se simboli i Klubit është krijuar rreth viteve të Monarkisë Shqiptare 1928 – 1939. Duhet theksuar që dhe pse Shqipëria është përmendur në regjistrat e KNAC-së e vitit 1932, nuk ka referenca mbi ekzistencën e një klubi automobilistik Shqiptar.

Projektligji i vitit 1935, për kufizimin e importit të automjeteve

Në dhjetorin e vitit 1935, qeveria shqiptare depozitoi në Parlament një projekt-ligj që parashikonte masa për kufizimin e importit të disa mallrave, ndër të cilat dhe automjetet. Ndalimi i importit të kësaj kategorie, argumentohej me faktin se; “Numri i veturave sot në Shqipni, është i mjaftueshëm për t’i bërë ballë nevojave të vendit dhe mund të quhet i tepruar, kundrejt gjendjes ekonomike të sotme”. Miratimi i vendimit në Parlament, u bë më 3 shkurt të vitit 1936.

Rrjeti Rrugor në vitin 1939

Pas vitit 1920, filloi ndërtimi i rrugëve Peqin-Elbasan, Elbasan-Lixhë-Gostimë, Librazhd-Peshkopi dhe u bënë përmirësime në disa rrugë të tjera ekzistuese. Deri në vitin 1939, u ndërtuan edhe disa rrugë të tjera automobilistike, si Tiranë – Ndroq-Plazh, Shkodër-Vau i Dejës-Pukë-Kukës, Krujë-Qafështamë-Burrel, Tiranë-Krrabë-Elbasan. Çlirimi e gjeti vendin tonë me një rrjet rrugor, prej rreth 2200 km., të dëmtuara nga lufta dhe me ura të shkatërruara.

Targat e automjeteve të viteve 1939 – 1944

Gjatë pushtimit italian dhe gjerman, në vitet 1939-1944, në Shqipëri qarkullonin mjete me targa shqiptare, të ngjashme me formatin e përdorur në Itali, me shkrim të bardhë në një sfond të zi. Në rreshtin e parë vendosej emri i qendrës së regjistrimit (qyteti) dhe në të dytin, ishte numri, shoqëruar dhe nga shenja dalluese e regjimit fashist. Targa në fotot që po publikojmë në këtë shkrim, duket se kanë dhe mbishkrimin “Shërbim Publik”, mbi emrin e qytetit që vendosej si shtesë në disa prej tyre.

S.A.T.A. – (Shoqëria Shqiptare e Transportit Automobilistik).

Më 1940-ën, “Fiat” krijoi Kompaninë S.A.T.A. (Shoqëria Shqiptare e Transportit Automobilistik), e cila gjatë viteve ’40-të, mundësoi shërbimin e transportit urban në qytetet e Tiranës dhe Durrësit. Modelet e auto-buzave ishin: Fiat 626 / RN dhe 626 RNL.

Shoqëria “Bashkimi i Transportit Automobilistik të Kamionëve”

Pas ndryshimit të regjimit më 1945, edhe politikat shtetërore ndaj automobilizmit në Shqipëri ndryshuan. Si fillim u krijua shoqëria “Bashkimi i Transportit Automobilistik të Kamionëve”. Inventari i mjeteve përbëhej nga rreth 300 njësi të tipave dhe tonazheve të ndryshme. Me këto automjete fillimisht u krijua Parku i Durrësit, ku u grumbulluan të gjitha automjetet dhe më vonë me një pjesë të këtyre mjeteve, u krijua Parku i Tiranës, Korçës, Shkodrës, Elbasanit, Vlorës, etj.

Në vitin 1946, bëhet shtetëzimi i mjeteve të transportit, që kishin individët dhe shoqëritë shqiptare dhe bashkë me automjetet e shoqërive të huaja, të rekuizuara që në fillim, u ngritën qendra transporti (parqe) fillimisht në Durrës, më pas në Tiranë, Korçë, Shkodër e, më vonë Elbasan, Vlorë dhe Sarandë. Mjetet që kishin këto qendra ishin të tipeve, “Shevrolet”, “Fiat” – 364, “Mag”, etj.

Gara e parë për femra me motoçikleta, konsiderohet të jetë zhvilluar më 10 korrik 1950. Itinerari që do të ndiqnin garuesit ishte nga “Shtëpia e fëmijëve”, deri në Selinë e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Në këtë garë merrnin pjesë 5 vajza, me të njëjtin itinerar, por me 5 xhiro d.m.th., 12.5 km.

Në përfundim të garës, u arritën këto rezultate: e para u klasifikua Myzejen Zepishta, me një kohë prej 11.40″; e dyta Leonora Koraqi, me 12.15″ dhe e treta Parashqevi Kroqi, me 12.58′”. (Marrë nga gazeta “Sport” 15 korrik 1950).

Më 1954-ën, mbërritën në Shqipëri 10 automjete model “ZIS” 110 B për udhëheqësit kryesorë të Partisë dhe shtetit

Më 1954-ën, mbërritën në Shqipëri 10 automjete model “ZIS” 110 B për udhëheqësit kryesorë të Partisë dhe shtetit, kurse më 1960-ën, të të behej formatimi i ri i patentave. ndërsa Traktori i parë Shqiptar, tip “DT-54”, prodhohet nga Kombinati mekanik i Auto-Traktorëve, më 16 Tetor 1978.

Në tregun lindor, gjithçka mund ta merrje me klering. Nëse eksportoje qepë, domate e speca, mund të merrje lehtësisht makina. Në praktikën e përditshme, shoferët e periudhës kur në Shqipëri ngrihej socializmi “me forcat tona”, thoshin se makinat lindore, shpenzonin shumë më tepër karburant, se ato perëndimore.

Por duket se kjo nuk kishte vlerë, përderisa nafta vendase i mbulonte pa problem nevojat e qarkullimit të mjeteve shtetërore. Formula ishte e njohur për vendet që ishin pjesë e KNER-it. Shqipëria gjithashtu kishte qenë pjesë e organizmave të Lindjes Komuniste, dhe mund të merrte makina të prodhimit lindor, duke i shkëmbyer me produkte bujqësore apo produkte të industrisë së lehtë dhe ushqimore.

Për pasojë, në rrugët e Shqipërisë dhe të qyteteve shqiptare, lëviznin me shumicë makina të prodhimit, rus, polak, çek, rumun, etj.. Makinat më të njohura ishin “Zis”, “Gaz”, “Skoda”, “Tatra”, “Nysa”, “Zuk”, “Varshava”, “Ifa”, “Aro”, etj.

Shumë më të rralla ishim në qarkullim makinat e prodhimit perëndimor.

Për anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, u porosit një seri “Benc Mercedes” 280 SEL, kurse për Parkun e Delegacioneve, ishte në dispozicion një seri “Volvo”. Për drejtorë të veçantë të institucioneve dhe ndërmarrjeve të ndryshme, kishte “Fiat 131”, si dhe ndonjë “Alfa Romeo”, të prodhimit italian.

Dikastere të rëndësishme u furnizuan edhe me auto-vetura “Peugeot” të prodhimit francez. Në makinat e mëdha kamion, kishte disa “Volvo” dhe “Scania” të prodhimit suedez, të cilat punonin për llogari të TIR (Transporti Internacional Rrugor). Mjete “Volvo”, për transport të mjeteve të blinduara, kishte edhe ushtria.

Për disa vite në rrugët e Tiranës, qarkulluan dhe disa autobusë urbanë tip “Fiat”, “Viberti”, prodhim italian, të cilat erdhën si reparacione të Luftës së Dytë Botërore. Më pas ato u zëvendësuan me auto-buzët “Shkodra”, që populli i pagëzoi “Fisarmonikë”, një imitim i motorit “Skoda”. Vitet e fundit para se të shembej regjimi komunist, u futen edhe auto-buze urbanë të prodhimit francez, tip “Saviem”, si dhe disa të prodhimit gjermano-perëndimor, “Benz Mercedes” dhe “Man”.

Më 16 tetor 1978, Shqipëria prodhoi traktorin e parë me zinxhirë, tip “DT-54”

Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, që nga viti 1945 e deri në vitin 1990, Shqipëria nuk arriti të prodhonte dot asnjë lloj automjeti, me përjashtim të traktorit të parë shqiptar, tip “DT-54”, (me zinxhir) i prodhuar nga Kombinati Mekanik i Auto-Traktorëve, “Enver Hoxha”, më 16 tetor të vitit 1978, të cilin e inauguroi vetëm kryeministri Mehmet Shehu, duke lëvizur me të disa metra, në sheshin para Kombinatit të Auto-Traktorëve.

Pjesa tjetër që përbënte më shumë se 90% të mjeteve të transportit, ishin makina të prodhimit lindor, ndërsa fotot më cilësore private, sot vijnë nga Korça, të cilat mund t’i gjeni edhe në websitin zyrtar të “Retro cars Albania”, ku në qytetarinë e tyre, kanë ruajtur sistemin e periudhës 1913-1945, ku cilësohej si qyteti “Pionier”.

Periudha pas vitit 1990, solli dinamika të reja në masivizimin e automobilizmit edhe ka shuar deri në një farë mase, polarizimin në bazë traditash qytetare të automobilizmit. ​Memorie.al