“Qëndroni të qetë dhe buzëqeshni”, ky është titulli i ekspozitës në galerinë “Oda” të fotografit nga Kosova, Korab Basha.
Duke u ndikuar nga sllogani i ushtrisë britanike gjatë luftës së dytë botërore, autori sjell ndryshe në imazh dhe perceptim anëtarët e FSK.
Në këtë ekspozitë me buzëqeshjen e tyre, ata përfaqësojnë forcën dhe krenarinë e popullit shqiptar. Përmes saj, artisti hyn thellë edhe në kontekste më globale duke dhënë mesazhin se paqja fillon me një buzëqeshje.
“Titulli tregon që këta njerëz janë të qetë, të qeshur dhe janë ushtria e popullit”, tha Korab Basha.
Skulptori Ferid Kola ndihet i impresionuar prej imazheve të shkrepura nga Korabi.
“Shumë emocionuese, sinqerisht unë u preka shumë. Vërtet jam skulptor, por vizioni, arti është poezi më vete. Arti është frymë dhe më erdhi kjo frymë”, tha ai.
Ekspozita prej 24 fotografive tërhoqi vëmendjen dhe interesin e shumë vizitorëve në mjediset e galerisë.
Gazetar: M. Gjini