Nga Ledia Lleshi
Memorie.al / Familja Gjylbegu, me orgjinë nga Shkodra, është vendosur prej vitesh në Elbasan. Pjesë e trungut të Gjylbegasve, kjo familje i vuajti pasojat e komunizmit, që pas çlirimit. Shumë e vështirë ka qenë gjithçka për Hamidin, i cili në formimin e tij dhe në përpjekjet patriotike, shok i afërt i Avni Rustemit, nuk e pranoi vendosjen e diktaturës. Madje në mënyrë të hapur, ai refuzoi të votonte gjatë gjithë periudhës së komunizmit, nuk pranoi as elektrifikim e as televizor dhe derisa vdiq, e kaloi jetën në heshtje të plotë dhe në refuzim të ideve komuniste. Më pas historinë e tij, e ndoqi djali, Virtyti, i cili në moshë fare të re, teksa merrte pjesë në një gjyq popullor komunist, reagoi, duke thyer heshtjen e atij gjyqi fals dhe për këtë, u dënua me 5 vjet heqje lirie.
Historinë e përcjell tek ne Bardhyli, mësuesi i Bio-Kimisë, i cili qysh në fëmijëri e provoi dorën komuniste dhe pa sesi u arrestua Virtyti në kinema “Nacional”. Kjo familje me tradita dhe madje me prona dhe shumë pasuri, përfundoi në skamje dhe në vështirësi të mëdha mbijetese.
Bardhyl Gjylbegu, e renditi veten tek ata njerëz që të zhytur në vuajtje e përndjekje, jo vetëm mundën të mbijetojnë, por u bënë shembulli për punë e dituri për të gjithë të tjerët. Nxënës i shkëlqyer, por që nuk përkrahej, emri i tij nuk mund të renditej tek shembullorët e shkollës.
Familja e tij ishte përcaktuar si e deklasuar dhe për shumë vjet me radhë, nuk iu dha triskë fronti. Xhaxhai i tij, Hamid Gjylbegu, akademik ushtarak e poet, u burgos e u demaskua, si antikomunist i vendosur. Ai ishte një ndër shqiptarët e rrallë, që nuk pranoi të votonte asnjëherë gjatë diktaturës, kurse Virtyti, djali i tij 22-vjeçar, u pushkatua në kampin famëkeq të Maliqit.
Nëna e Bardhylit e kishte mjaft të vështirë të siguronte ushqimin për tre jetimët. Kur të gjithë fëmijët çlodheshin në verë, Bardhin 12-vjeçar, e gjeje punëtor krahu në ullishta dhe vështirësitë për familjen s’kishin të mbaruar. Vëllai i madh i tij, Luani, pati guximin të bëjë pyetjen në klasë “Përse kinezët luftojnë në Kore”?”.
E dëbuan nga shkolla si armik të pushtetit popullor, duke e akuzuar edhe për ndarje traktesh antiqeveritare. Vetë Bardhi mbaroi shkëlqyeshëm, shkollën “Normale” dhe u emërua mësues në fshatrat më të largëta të Skraparit.
Teksa e çojnë ushtar, për të do të ishin të gatshme vetëm repartet e punës, por ai nuk u dorëzua. Krahas shërbimit ushtarak, përfundon Universitetin e Tiranës në fakultetin Biologji-Kimi, me një mesatare të admirueshme për periudhën e vështirë që po kalonte 8.3., por mësuesi që ishte diplomuar për shkollën e mesme, përfundon në fshatrat e thella të Librazhdit.
Ai arrin të tregojë talentin e tij në mësimdhënie, kur në vitin 1973, në një konkurs kombëtar për biologjinë, duke përfaqësues rrethin e Librazhdit me nxënës nga fshati, i la prapa në klasifikim, disa qytete të mëdha, mes tyre edhe Elbasanin. Por puna e përkushtuar e Gjylbegut, do të shpërblehej me pushim nga puna, për arsye politike, më 1975-ën.
Drejtori i shkollës, një komunist i verbër fanatik, i “thur” mësuesit të shkëlqyer akuzën absurde; “Nuk dallon botën bimore, nga ajo shtazore”. Për pasojë Bardhi dënohet me 15 vite punë të rënda në ndërtim, ndërsa gruan e tij, 4 vjet punë fizike dhe më pas e lenë të papunë, për 12 vjet. Për vite me radhë e mbajtën frymën me të ardhura financiare minimale dhe vetëm me ardhjen e demokracisë, kjo familje mundi të gëzoj sadopak lirinë e munguar.
Mësuesi i pasionuar, emërohet në gjimnazin “Dhaskal Todhri”, ku shërbeu me po atë zell e përkushtim, derisa doli në pension. Një veteran i arsimit, Sefedin Trungu, e ka cilësuar mësuesin Gjylbegu, si shembullin e dashurisë për arsimin. “Me njerëz të tillë si Bardhi, që nuk janë të paktë në qytetin tonë, duhet të krenohet ‘Normalja’ dhe arsimi ynë kombëtar”, shprehej ndër të tjera ai.
Vuajtjet dhe përçmimi
(Kujtime të Bardhyl Gjylbegut, për vitet e para të pas luftës)
Ishin ditët e para të nëntorit 1944. Unë një çunak 5-vjeçar, qëndroja i habitur në portën e madhe të shtëpisë dhe vështroja rrugën. Në shtëpinë tonë u futën me nxitim oficerë dhe ushtarakë gjermanë…!
Unë dhe motra ime 3 vjeçe, me një fustan të vjetër, por të pastër, u nisëm për në kopshtin “Aqif Pasha” vetëm 11 metra poshtë shtëpisë sonë. Kjo shkollë, ku ishte edhe kopshti me emrin e patriotit të shquar elbasanas, e ndërroi emrin dhe pas ca vitesh u bë shkolla 7-vjeçare “Ptolome Xhuvani”.
Trokitëm në derën pak të hapur, ku dëgjoheshin zërat e zhurmshëm të fëmijëve. Doli edukatorja Marije Llulla, një grua e bukur, e shoqja e një ushtari italian nga Trieste, me një zë të butë na pyeti: “Çkërkoni”?
I thamë me gjysmë zëri dëshirën tonë, për të mësuar në kopsht, si të zënë në faj. Na përkëdheli të dyve dhe vazhdoi me zërin e saj të ëmbël: “Nuk mund tju pranoj, se nuk ka vend…”! U larguam kokulur dhe të përlotur, u kthyem në shtëpi. Kur na panë prindërit, në pyetën: “Ç’keni”?
U treguam gjithçka. Në të vërtetë zhvillohej lufta e tmerrshme e klasave, që vazhdoi mbi ne edhe më e pamëshirshme. Kur filloi mbi fëmijët e vegjël që ne nuk e kuptonim pse dhe kush ishte faji ynë!
Unë i paditur ç’ndodhte u nisa përsëri për në kopsht, por tashmë nuk guxoja të trokisja në derë. Dëgjoja me vëmendje nga brenda derës, fjalët e edukatores që përziheshin me zërat dhe thirrjet e fëmijëve. Ishte gëzim i madh për mua, kur rastësisht qëllonte që dera nuk mbyllej plotësisht dhe ishte pak e hapur pasi dëgjohej mirë.
Një ditë një nga fëmijët, një vajzë e vogël flokë-verdhë, më pa pas derës dhe më pyeti: “Pse rri këtu”? I tregova me gjysmë zëri dëshirën time, për të mësuar në kopsht. Pa pritur vogëlushja u zhduk brenda dhomës, ku gumëzhinin zërat e bashkëmoshatarëve të saj dhe pas pak në derë i shfaq edukatorja. I trembur me sytë me lot prisja…!
Ajo me dhembshuri, pasi mori vesh dëshirën time të madhe për të mësuar, më futi në dhomë duke më përkëdhelur. U ula duke pushuar së qari, fshiva sytë me duart e vogla dhe dëgjoja. Herë pas here, i hidhja sytë në mure, duke parë për herë të parë figura me ngjyra, pamje të ndryshme të pakuptueshme dhe më dukej se isha futur në botën e përrallave!
Virtyt Gjylbegu, mbrojti intelektualët në gjyqet në kinema “Nacional”
Frika endej nëpër qytet, pasi kishin filluar gjyqet kundër “armiqve të klasës”, siç quheshin antikomunistët. Një propagandë e shfrenuar, terrorizonte popullin. Gjyqet zhvilloheshin në kinema “Nacional”, ndërtuar nga patrioti Xhavit Biçaku, e cila mbushej plot e përplot me popull, i cili i bombarduar nga propaganda komuniste, në shumicë, si në kor dhe në ekstazë, thërriste: “Kriminelët në litar”, “Vdekje tradhtarëve”!
Në një nga këto gjyqe në periudhën vjeshtë-shtator 1946, salla e kinemasë zhurmonte nga ulërimat shtazarake të turmës, që klithte me sa fuqi kishte. Unë me 5-6 fëmijë 7-vjeçarë, lëviznim të shqetësuar, në rrugën para kinemasë. Nuk kuptonim ç’po ndodhte, por e ndjenim që diçka e keqe, po kurdisej…! Në sallë dhe pikërisht në një nga llozhat përballë, ishte ulur edhe Virtyti ynë.
Zhvillohej gjyqi kundër intelektualëve më të shquar të qytetit, nga familjet Fagu, Maçi, Gurmani, Ceka, etj., ajka e inteligjencës elbasanase. Këto njerëz të shkencës, diturisë dhe arsimit, përballeshin me prokurorë e gjyqtarë xhahilë të pashkollë, të porsa-zbritur nga malet. Fjalët mezi dëgjoheshin.
Njerëzit që mbushnin sallën me frikë në zemër, prisnin me ankth çdo të ndodhte prisnin dënimin e të pafajshmëve. Asnjë nuk guxonte të fliste, por jo…! Një zë i fuqishëm, buçiti nga llozha përballë skenës. Ishte zëri i fortë, i paepur i Virtytit 21-vjeçar, që i çori maskën këtij gjyqi farsë. Ai doli i patrembur në mbrojtjen e të akuzuarve, si një avokat i fuqishëm, në mbrojtje të së vërtetës, që donin ta shtrembëronin.
Në një kohë kur të gjithëve u kishte hyrë frika në palcë, një njeri trim si ai, një hero, doli haptazi pa frikë, në mbrojtje të idealeve të lirisë. Të gjithë kthyen kokën nga ky trim që po sfidonte diktaturën komuniste, e cila po instalohej në Shqipëri. Shumë e njihnin Virtytin, që siç kishte emrin, ishte personifikim i virtyteve më të larta morale, inteligjencës dhe guximit.
Ai ishte normalisti i shkëlqyer, që dilte në skenën e historisë së qytetit, në mbrojtje të së vërtetës, lirisë së fjalës dhe të drejtës. Prokurorët, gjyqtarët, për një çast u shtangën, u shtang edhe populli që mbushte sallën. Ata nuk prisnin asnjë kundërshtim, në atë atmosferë tmerri jakobine.
Si e mblodhën veten, urdhëruan policët ta prangosnin aty për aty, prangosën një të ri, vetëm për fjalën e lirë dhe në çast e dënuan me 5 vjet burg të rëndë dhe sekuestrim të pasurisë. Lajmi tronditës u përhap me shpejtësi në familjet elbasanase. Merret me mend tmerri dhe llahtaria, që përfshiu familjen tonë. Qanim pa pushim. Nëna qante për djalin e vetëm, motrat vëllain e adhuruar dhe ne tre fëmijët e vegjël jetimë, që rrinin në heshtje si të ngrirë me sy të përlotur, qanim për dajën, shtyllën e shtëpisë, që e kishim si mbrojtje.
Kush do të na përkrahte tani? Kush do të na ushqente? Ku do të mbështeteshim? Familja jonë mbeti pa një mashkull të rritur, me tre femra të tronditura dhe tre fëmijë të vegjël, që kërkonin mbrojtje, që kërkonin të jetonin. Burgu dhe qelia ku e mbyllën Virtytin tonë, ishte brenda kalasë së qytetit, bashkë me të burgosur të tjerë. Unë duke u dridhur, çdo ditë futesha tek porta e kalasë dhe me frikë drejtohesha drejt burgut, për t’i dërguar pak ushqim, që mund të përgatiste familja. Nga Elbasani ata u çuan të burgosur në kampin famëkeq të Vloçishtit, për tharjen e kënetës së Maliqit.
Nga Ndriçim Plangarica, fqinji ynë dhe shok i afërt i Virtytit, mësuam të vërtetën e tragjedisë së tij. Kjo e vërtetë është shkruar në librin e Plangaricës “Rrethi i fundit i ferrit të kuq”, fq. 190. Virtyti kishte punuar për tharjen e kënetës së Maliqit. Veç punës së rëndë shkatërruese, shushunjave, që u ngjiteshin në trup, kur punonin të zhytur në ujë, veç torturave të veçanta, keqtrajtimeve, poshtërimeve dhe rrahjeve, të burgosurit i trajtonin si kafshë, madje duke i qëlluar dhe me armë.
Në këto kushte të tmerrshme të kampit, Virtyti ishte i qeshur e i dashur me të gjithë të burgosurit. Kjo nuk u pëlqente drejtuesve të burgut, të cilët nuk mund të harronin sfidën e Virtytit në gjyqin që u zhvillua në Elbasan, ku guximi dhe trimëria e tij, bënë jehonë kudo. Ngarkuan gardianët për poshtërimin e tij. E akuzuan se kishte marrë nga ushqimi i një shoku të tij të burgosur. Për këtë, duhej dënuar…!
Pasi të burgosurit hëngrën mëngjes, copën e bukës bajate pa sheqer, i rreshtuan në sheshin para barakave të kampit. Dy gardianë morën me forcë Virtytin dhe e lidhën pas një shtylle elektriku. Në këtë shtyllë, duhet të kalonin të burgosurit me radhë e ta pështynin. Kush nuk e bënte, detyrohej ta përsëriste. Si mbaroi ky rit shtazarak komunist, rojtarët e gardianët, e nisën të burgosurin në punë.
Tërë kohës në punë, Virtyti nuk foli. Kur u kthye në kamp, nuk u përgjigj, as kur u bë apeli. Supën e qelbur të drekës, nuk e hëngri. Në kohën e lirë, nuk foli me njeri, por qëndroi i ulur para kaparonit të fjetjes, duke shikuar telat me gjemba që rrethonin kampin, anash kullës së rojës që kishte përballë. Nuk e hëngri as supën e darkës. Pas mesit të natës, në fjetoren e të burgosurve, u dëgjua një zë i fortë: “Ndal, Ndal, Ndal”!
Pas thirrjes, u dëgjua një breshëri mitralozi dhe plumbat përshkruan trupin e djaloshit. Të gjithë të burgosurit e dinin të vërtetën e hidhur…! Rrethimi me tela me gjemba, nuk kalohej pa lënë kokën aty. Virtyti nuk kishte tentuar të arratisej, por me vetëdije të plotë, shkoi për t’i dhënë fund jetës. Duke prekur kufirin e fundit, të ferrit komunist.
Ai ndërroi jetë, duke fituar lirinë e amshuar. Kështu u shua jeta e një të riu të pafajshëm, i talentuar në shumë fushë, duke u kthyer në një kujtim që mbeti i gjallë në mendjet dhe në zemrat tona. Elbasani e ka borxh ta nderojë këtë trim të paepur vetëm 21-vjeçar, që sfidoi hapur në fillimet e saj kuçedrën komuniste.
Pushimi nga puna i Bardhyl Gjylbegut!
Sipas ligjit antikushtetues të diktaturës komuniste, u pushuan nga puna në të gjitha rrethet e vendit, arsimtarë, prindërit e të cilëve qenë dënuar nga regjimi komunist në fuqi, me pushkatim ose, dënimet të tjera rënda. Në rastin tim, këto persekutorë e shkelën edhe këtë ligj famëkeq. Pushohem nga puna, sepse daja u dënua me burg politik.
Im atë, Sait Gjylbegu, vritet më 1942-in si pasojë e hakmarrjes, krejt i pafajshëm dhe nëna ime na rriti ne tre fëmijët jetimë nën 5 vjeç, me punë të rënda fizike, në fermë në ullishtë. Në dosjen time shkruhej: “Daja i tij është dënuar me burg politik”, ndërsa drejtori injorant i shkollës, plotëson: “Nuk dallon botën bimore nga bota shtazore”?!, kur unë kisha mbaruar shkëlqyeshëm dhe kur unë kërkoja: “Pse shkelej ligji”? Ata përgjigjeshin duke çkërrmitur dhëmbët;
“Atë e di Partia. Se jeni nga familje pronarësh; nëna jote nuk ka triskë fronti”, e të tjera slogane komuniste. Megjithëse kisha merituar “Medalje Ari”, për mbarimin e Institutit të Lartë, prej tyre detyrohem, bashkë me bashkëshorten time, të kryejmë punë të rënda fizike, për 15 vjet me radhë, me të gjitha pasojat morale, ekonomike, politike, në këtë punë të detyruar, si në kampe përqendrimi, por pa tela.
Letër Enver Hoxhës: “Çlirimin e banë njerëz ma t’mdhenj”
-Hamid Gjylbegu, refuzoi votimet deri dhe energjinë elektrike-
Hamid Gjylbegu, lindi më 1887 në Shkodër, në një familje me tradita, ndër më të vjetrat. Atdhetarizmi qe trashëgimia më e vyer e kësaj familjeje. Babai i Hamidit, u plagos më 1835, pasi merr pjesë edhe në mbrojtjen e trojeve dhe gjithashtu shërben në kryengritjet kombëtare 1911-1912. Hamidi, studimet e mesme, i kreu në Selanik dhe të lartat në shkollën e lartë ushtarake në Stamboll.
Më vonë specializohet në akademinë ushtarake të Berlinit dhe pas përfundimit të këtij specializimi, emërohet pranë Shtatmadhorisë turke në Stamboll. Pas shpalljes së pavarësisë në nëntorin e 1912-ës, ai refuzon një pagë të majmë dhe spaletat dhe niset drejt Shkodrës, bashkë me Hoxhë Kadrinë, më 1913-ën. Aty caktohet oficer madhor në ushtrinë kombëtare. Më 1914, si komandant njësie, siguron ardhjen e princ Vidit.
Më pas, ai shërben si komandant i batalionit të ushtrisë kombëtare shqiptare, në Elbasan, me gradën kapiten. Me njësinë e tij, në vitet 1913, merr përsipër ruajtjen e Komisionit Ndërkombëtar për caktimin e kufijve. Duke qenë njohës i mirë i gjermanishtes, frëngjishtes, italishtes, turqishtes së re dhe të vjetër si dhe persishtes ai caktohet edhe anëtar i këtij komisioni dhe ndihmon në lehtësimin e komunikimit midis anëtarëve të Komisionit Ndërkombëtar.
Në Kongresin e Lushnjës, njësia që drejtonte, merr në mbrojtje këtë tubim kombëtar. Në gusht-korrik 1920, kur forcat serbe sulmojnë Koplikun, Hamidi caktohet komandant i këtij fronti. Ndonëse në raporte të pabarabarta forcash dhe në minorancë, ai e kurorëzoi me fitore këtë betejë. Sa nacionalist aq edhe demokrat, ai përkrahu Revolucionin e Qershorit të Nolit dhe nisur nga kjo, që në ditët e para Monarkisë, ai dha dorëheqjen nga karriera ushtarake.
Megjithatë, kundërshtari i tij politik Ahmet Zogu, ia njohu meritat e ushtarakut të zellshëm, majorit Gjylbegu, duke i lidhur një pension shtetëror të denjë. Në pushtimin e Shqipërisë nga nazi-fashizmi, i kërkohet të rikthehet në jetën ushtarake, madje i ofrohet edhe grada e gjeneralit, por ai mbajti të njëjtin qëndrim, si dikur Porta e Lartë, e propozoi ta bënte komandant të përgjithshëm ushtarak në Liban, përsëri spranoi.
Por edhe pse e ruajti figurën e tij dhe kishte një karrierë të ndritur në mbrojtje të atdheut, më 1946-ën, kur sapo ishte instaluar regjimi komunist në Shqipëri, ai së bashku me dy kushërinjtë e tij, Gjyl e Qamil Gjylbegu, arrestohen me akuzën e pjesëmarrjes në kryengritjen e Postribës dhe izolohen në “Gestapon e kuqe” të Shkodrës. Hamidi pësoi torturat nga më çnjerëzoret që i bënin xhelatët komunistë, por ai nuk u përkul.
Për një vit zgjati hetuesia ndaj tij dhe më pas lirohet për mungesë provash. Për herë të dytë, ai sfidon diktaturën, duke shkëputur çdo marrëdhënie me shtetin. Vetë-burgoset në shtëpi, ndërpret furnizimin me energji elektrike të shtëpisë, bojkoton me vendosmëri çdo votim, si për zgjedhjet për Kuvendin Popullor, ashtu dhe për pushtetin lokal. Ashtu i varfër gjer në skamje, pa pension, nën ndriçimin e kandilit, kalon ditët dhe vitet më të errëta të komunizmit.
Pasojat e hakmarrjes komunistet, do të binin pikërisht mbi djalin e tij Virtytin, i cili u vra në burg, në Kampin e Kënetës së Maliqit. Në 50-vjetorin e pavarësisë, në vitin 1962, Hamid Gjylbegu, i drejtohet me një letër diktatorit Enver Hoxha, ku mes të tjerash i thoshte: “Ju nuk keni ba çlirim kombëtar, por çlirim shoqëror. Shqipëria nuk është çlirue, atë çlirim që përmendni ju e kanë ba disa burra më të mëdhenj se ti”…!
Hamid Gjylbegu ka qenë edhe një njeri letrash. I janë botuar 17 libra, kryesisht poezi, një pjesë e të cilave ndodhen në Bibliotekën e Elbasanit. Janë pjesë, ese, poezi të karakterit filozofik, lëvrimi i të cilave, do të zbulonte edhe një anë tjetër të këtij njeriu me vlera kombëtare.
Ai ishte shok e mik me Ismail Qemalin, Bjaram Currin, Luigj Gurakuqin, e sidomos me Avni Rustemin, me të cilin ekziston edhe një foto. Po kështu kishte miqësi edhe me Fishtën, Mjedën, Dom Ndre Zadejën, etj. Hamid Gjylbegu, patrioti i shquar që luftoi me armë në dorë për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, pas persekutimit komunist, vdiq në vetmi të plotë, në vitin 1979, në moshën 92-vjeçare. Memorie.al