Të nderuar miq,
Nisur nga një koment i z. Spahia bërë sot në rrjetet sociale, pasqyruar dhe në disa media lokale, lidhur me dorëheqjen time nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Shkodër, dhe për të mos lënë vend keq interpretimeve, hamendësimeve apo të pa vërtetave, e pashë të arsyeshme të ndaj me ju një sqarim lidhur me këtë çështje.

I ndikuar nga fryma e ndryshimeve që solli z.Beci pas marrjes të detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër, u bashkova thirrjes së tij, fillimisht si Drejtor I Drejtorisë së Studimit, Planifikimit dhe Koordinimit të Investimeve dhe më pas si, Drejtor I Përgjithshëm I Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit.
Gjatë një periudhe pothuajse nëntë mujore, dhashë kontributin brenda ekspertizës time në ristrukturimin e strukturave organizative të Planifikimit dhe Zhvillimit në Bashkinë Shkodër, sikurse, në krijimin e një tjetër qasjeje lidhur me planifikimin në përgjithësi.
Bazuar tërësisht në arsye personale, angazhime profesionale e familjare (brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë), të cilat më pamundësojnë të vijoj ushtrimin e funksionit në mënyrën e duhur dhe me angazhim të plotë, vendosa të largohem nga pozicioni I drejtorit.
Si ekspert në fushën e planifikimit unë aktualisht dhe në vijim, do të jem duke punuar krah z. Beci dhe ekipit të tij, nga një tjetër pozicion tashmë, i bindur se po kontribuoj për një Shkodër ashtu siç i ka hije!
Bazuar në profilin tim tërësisht teknik dhe aspak politik, do vleresoja shume nëse do respektonit dëshirën dhe vendimin tim, për të qendruar jashtë dhe për të mos u përdorur për retorika politike.
Duke Ju falënderuar,
Taulant Dibra