Të dashur diplomantë, kolege dhe kolegë, miq të Universitetit Europian të Tiranës!

Sot, pas 18 vitesh, më intensivet në jetën time, në këtë universitet, ndjej një grusht emocionesh të ndryshme teksa flas para jush, për herë të fundit, si rektori juaj.


Ishte një udhëtim i jashtëzakonshëm, që filloi me themelimin e universitetit dhe u zhvillua në një mënyrë që, asnjëri prej nesh nuk e kishte imagjinuar. Kam pasur nderin të shërbej në tre mandate si rektor dhe, më parë, si zv.rektor, duke punuar me një ekip të jashtëzakonshëm dhe një komunitet studentësh, që gjithmonë kanë qenë burim frymëzimi. Kemi arritur bashkë të kryejmë këtë udhëtim rritës të UET, i cili ka qenë shpesh frymëzues edhe për institucione të tjera simotra. Në fakt, ky udhëtim dhe kjo rritje nuk ka qenë e imja, ka qenë i yni, sepse duke rritur institucionin tonë UET, jemi rritur e kemi marrë përvojë të çmuar edhe ne, gjithësecili, pra, dhe unë, Tonin Gjuraj.

Universiteti Europian i Tiranës është rritur dhe ka ndryshuar shumë gjatë këtyre viteve, duke arritur të jetë një institucion i njohur për cilësinë e tij të lartë akademike dhe përkushtimin ndaj studentëve, për ndërkombëtarizimin, duke qenë një institucion i arsimit të lartë me peshë në jetën shkencore, kulturore e sociale të vendit. Me 4050 studentët e tij, ai tashmë është i mirënjohur për mjedisin UET-as të pasur, të gjallë e sfidues, që ka përgatitur të rinjtë për të ardhmen e tyre profesionale.

Në këtë kontekst, më lejoni t’i referohem poetit apo eseistit të njohur T. S. Eliot, që më duket i përshtatshëm për këtë moment reflektimi dhe kalimi, nga krijimi i tij Katër Kuartetet.

Kjo referencë thekson se, koha e tashme dhe e kaluara janë gjithmonë të pranishme në të ardhmen, duke na kujtuar që çdo përvojë dhe çdo moment që kemi jetuar këtu, do të vazhdojë të jetë pjesë e të ardhmes sonë. Çdo hap që kemi ndërmarrë bashkë, çdo sfidë që kemi kaluar dhe çdo sukses që kemi arritur, do të jetë baza mbi të cilën ndërtohet e ardhmja jonë.

Sot, ndiej krenari të veçantë që lëmë pas një universitet me një akreditim institucional ndërkombëtar, një dëshmi e përkushtimit dhe punës sonë të palodhur, për të arritur standarde të larta akademike, dëshmi e rritjes së institucionit, studentëve tanë dhe e jona si akademikë. Kjo është një arritje që flet për dedikimin dhe përpjekjet e gjithë stafit dhe studentëve tanë.

Megjithatë, udhëtimi im nuk përfundon këtu. Tani kthehem në qytetin tim, në Shkodër, për të shërbyer si rektor i Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Është një kthim në rrënjët e mia, në vendin ku fillova karrierën time akademike. Si një person që rrugëtimin e tij e ka nisur në fshatim e lindjes, në Pentar, fshatin kufitar buzë Bunës të Dajçit të Shkodrës, i cili njihet për bukuritë natyrore, vërshimet e lumit Buna dhe njerëzit e mirë e mendjehapur, kam trupëzuar këtë udhëtim, jo pa sfida, por pasurues dhe përmbushës dhe, prej kësaj trashëgimie, kuptoj e sendërtoj sot kontributin tim për Shkodrën dhe universitetin e saj.


Natyrisht, rrugëtimi im, nuk ka se si të mos bartë me vete shenjën karakterizuese të UET-it, sepse ky institucion është në mua, si një sinergji lidhëse vlerash që i kemi transmetuar dhe na ka transmetuar të gjithëve. Prandaj, edhe pse fizikisht do të jem në Shkodër, lidhjet e pashkëputura nga ky institucion do të jenë nxitëse për bashkëpunime ndërinstitucionale, për të rritur cilësisht institucionet tona të arsimit të lartë. Ndërkombëtarizimi dhe shkëmbimi i përvojave janë elemente kyçe për rritjen dhe zhvillimin e institucioneve tona dhe unë shpresoj që bashkëpunimi ynë do të sjellë shumë projekte të frytshme në të ardhmen.

Ju falënderoj të gjithëve, dekanëve dhe drejtuesve të departamenteve, personelin ndihmës akademik, administratën, për mbështetjen, përkushtimin dhe bashkëpunimin gjatë këtyre viteve. Ky universitet ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës sime profesionale dhe personale.

Të dashur kolege dhe kolegë,

Asnjë prej garave të mia dhe sukseseve të arritura, në të kaluarën dhe sot, nuk do t’i kisha fituar e shënuar, pa garancinë dhe relaksimin psikologjik që kam marrë nga mbështetja dhe këshillat e bashkëshortes time, Edlira, që jemi njohur pikërisht në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, tre dekada më parë. Ajo ka sakrifikuar ndoshta shumë nga karriera e saj, në emër të kësaj mbështetjeje në akademi, politikë e diplomaci. Djemtë e mi, Deivi dhe Enea, natyrisht kanë qenë dhe janë një frymëzim i madh për mua, për të vijuar më tej.

Motrat dhe vëllezërit e mi, që më duan shumë, por veçanërisht të dy prindërit e mi të ndjerë, edhe pse pa formimin e duhur arsimor, prej rrethanave të kohës, por shumë të kulturuar e fisnikë, më shohin sonte nga lart, duke besuar se, falë vështirësive dhe sakrificave që ata bënë për mua, ia vlejti dhe në fund ia dolëm!

Mirënjohje të posaçme për Henri Çilin, i cili, gjatë këtyre 18 viteve bashkëpunimi me të, ka shënjuar në mënyrë domethënëse karrierën time akademike, profesionale dhe, veçanërisht, atë menaxheriale. Falë tij, kam kuptuar fuqinë e rrjetëzimit, të kontaktit dhe lobimit.

Mikun tim të veçantë, Laert Duraj, për mbështetjen e fuqishme që më ka dhënë, në UET dhe jashtë tij, në çdo kohë, për raportet e veçanta njerëzore e personale, që kanë impaktuar pozitivisht suksesin tonë në drejtim.

Pa diskutim, Robert Rakipllarin, për këshillat dhe mbështetjen, që, së bashku me Henrin dhe Laertin, ma kanë bërë më të lehtë drejtimin e UET. Administratorin, Tildi Çadrin, me të cilin kemi dhënë ndoshta modelin dhe/apo shembullin më të mirë e të susksesshëm, brenda sistemit të arsimit të lartë, se si mund të bashkëpunojnë një rektor e një administrator, në dobi të institucionit.

Elda Papën e pagabueshme dhe të pazëvendësueshme, Odeta Cacajn energjike, Liri Mahon korrekte, Rovena Kushtën e saktë, Edi Vlushën e qetë e profesional, Sokol Ndokën e punës e miqësor, Elsida Sinajn të përkushtuar me studentët që, së bashku me rektoren Drita Kruja, përbëjnë ekipin më fantastik dhe më efiçientë, me të cilin kam punuar ndonjëherë. Krenarë për ju!

Nuk do të kishtë vijueshmëri më të mirë për UET dhe garanci për cilësi e avancim akademik e shkencor, nëse sot në vendim tim, nuk do të ishte rektorja e re e UET, tashmë e konfirmuar, Prof. Dr. Drita Kruja. Urimet më të sinqerta për të!

Në fund, Presidentin e UET, Selami Xhepa, i cili, me urtësinë, maturinë dhe intelektualizmin e tij të spikatur i bën nder këtij institucioni.

Përpara UET!
Përpara USH!


Faleminderit dhe suksese të mëtejshme!
Me respekt dhe mirënjohje për të gjithë ju! /Fjala e rastit e prof. dr. Tonin GJURAJ me rastin e përfundimit të aktivitetit të tij si drejtues në UET/