Dy polakë janë vënë në hetim nga policia pasi kanë tentuar që të nxjerrin nga vendi ynë 84 mijë euro pa i deklaruar.


Dy polakët kanë qenë duke kaluar nga pika e kalimit kufitar Hani i Hotit, kur gjatë kontrolleve të ushtruara i janë gjetur eurot në bagazhin e makinës.

“Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve në hyrje/dalje, për të menaxhuar fluksin e lëvizjes, si dhe për të parandaluar dhe goditur krimet në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Hani i Hotit konstatuan një rast të mosdeklarimit të shumave të konsiderueshme të parave, në pkk.

Në bazë të analizës së riskut, në dalje të RSh-së, u kalua për kontrolle në vijë të dytë, automjeti me të cilin lëviznin shtetasit polakë M. K., 35 vjeç dhe M. G., 33 vjeçe. Policia gjeti në këtë automjet rreth 84 000 euro që 2 shtetasit synonin t’i nxirrnin nga vendi, pa i deklaruar”, njofton policia.


2 polakët janë vënë në hetim për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.