Ish ministri i Shëndetësisë i cili u arrestua dje (4 korrik 2024) së bashku me dy bashkëpunëtorë pasi akuzohet për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës që ka qenë drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) dalin sot para Gjykatës së Posaçme për verifikim të kushteve të masës së sigurisë.


Vlerësimi i masës së sigurisë do të bëhet dhe për 4 të dyshuarit e tjerë që po hetohen 2 në masë sigurie ‘arrest shtëpie’ e 2 në ‘detyrim me paraqitje’

Seanca pritet të mbahet në orën 09:30 minuta.

Do të vlerësohet masa e sigurisë për Ilir Beqaj – Drejtori i SASPAC – , Ermal Kurtulaj – koordinator i projektit EUSAIR, Alfred Nikollaj – drejtori Administrativ i ‘Landëays International’ të tre këta janë në arrest me burg. Në arrest shtëpie janë Gazmend Haxhia – Pronari i ‘Landëays International’ për të cilin nuk është ekzekutuar masa e sigurisë dhe Elton Marini ortak i shoqërisë private. Në detyrim me paraqitje janë Bledar Leka e Bjona Zijaj konsulentë financiare
Masa e sigurisë u kërkua nga prokurorja e SPAK Elida Kaçkini e cila ka hetuar dosjen e SASPAK si dhe u mor nga nga gjyqtarja Rudina Palloi.


Beqaj akuzohet dhe për korrupsionit, mos deklarim të ardhurave duke fshehur pronësinë e restorant ‘Gzones’ afër Kalasë së Tiranës dhe të një automjeti.
Drejt burgut ish ministrin Ilir Beqaj e çoi një procedim penal i nisur 6 shtatorin e vitit të kaluar, regjistruar në ngarkim të Ermal Kurtulajt, koordinatori i EUSAIR, projekt i rëndësishëm i mbështetur nga fondet e Bashkimit Evropian dhe që menaxhohej nga Agjencia Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), ku Beqaj ishte drejtor.
SPAK thotë se ka gjetur prova se Ilir Beqaj si drejtues, në bashkëpunim me Kurtulajn, të cilin vetë e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish ministri përmes Restorant Gzona në Tiranë, që SPAK thotë se është në pronësi të tij.
Këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkuruese apo prokurim të thjeshtë, të cilat janë urdhëruar për t’u kryer nga personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili ka nënshkruar që nga rënia dakord për të kryer shërbimin e caktuar, tek ftesat që i’u janë dërguar subjekteve për të paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar fituesit pas vlerësimit deri tek lidhja e kontratës, dokumenta këto të hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i kontratës, thuhet ne njoftimin e SPAK.


Përveç tij gjykata ka vendosur arrest me burg edhe për bashkëpunëtorin Ermal Kurtulaj si dhe Alfred Nikollin, drejtori Administrativ i një kompanie me emrin ‘Landëays International’ e cila është përdorur pikërisht për këtë skemë përfitimi sipas SPAK, duke marrë tendera fiktivë pa kryer shërbime, teksa kthente mbrapsht paratë te Beqaj përmes Gzonës dhe jo vetëm.
Mes 8 prokurimeve fiktive të zbuluara, SPAK evidenton pikërisht një të lidhur me ‘Landëays International’. SASPAC i dha 125 mijë € kompanisë së biznesmenit Gazmend Haxhia për organizimin e një konference turizmi “Festa”. Por për të njëjtin event, dhe Ministria e Turizmit pagoi 38.5 mln lekë të reja. Pra gjithsej për të njëjtin aktivitet u paguan nga dy institucioneve shtetërore mbi 500 mijë €, ndërsa në fund i vetmi shpenzim i regjistruar është ai i një darke mundësuar nga “Gzona” me vlerë rreth 41 mijë euro.
Gzona është një restorant i vendosur në rrugicën pedonale brenda sarajeve të familjes Toptani në qendër të Tiranës – e rijetëzuar si një hapësirë tregtare për zejet e artizanatit dhe kulinarisë. Prokuroria e Posaçme nënvizon se Ilir Beqaj ka investuar vetëm në vitin 2019 në Restorant Gzona mbi 100 mijë euro (21.411 euro dhe 4.666.110 lekë për blerje të pajisjeve dhe 34.783 Euro pagesë qiraje e të tjera). Të gjitha këto shpenzime nuk i ka deklaruar. SPAK thotë se të gjitha interesat në restorant, Beqaj i ka ushtruar për Kurtulajt, i cili ka administruar, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore.