Ish-Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është arrestuar ditën e sotme nga me urdhër të SPAK për abuzim me fondet e BE-së. Duke u vendosur në krye të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), Beqaj ka arritur të ‘fus duart’ te fondet e BE-së në shërbim të restorantit të tij në Kalanë e Tiranës, ‘Gzona’.
Por ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, i cili i ka dalë në mbrojtje ish-drejtorit të SASPAC, duke i hedhur poshtë faktet për vjedhjen e fondeve të BE-së. Në një deklaratë për mediat të para disa muajve, Rama tha se zyra e Beqajt në SASPAC nuk merrte fonde nga Bashkimi Europian duke i quajtur gënjeshtra lajmet për këtë.
“Ai ishte koordinator i ndihmës, në një institucion që nuk menaxhon fonde të BE. Është një zyrë koordinimi në funksion të qeverisë shqiptare dhe një urë komunikimi me donatorët për të mirë të akordimit të fondeve të cilat nuk kalojnë direkt, por te entitet e tjera. Zhurma e bërë për zhvatje fondesh të BE, është gënjeshtër. Pasi zyra nuk menaxhon fonde të BE. Nuk i kalojnë fonde as nga BE dhe nga asnjë institucion tjetër. Këto janë procese të drejtësisë. Nuk kam komente”, tha ai.
Ndërkohë që sot SPAK ka zbardhur skemën e abuzimit me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës që Ilir Beqaj ishte në krye të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Sipas SPAK, në të paktën 8 raste, Ilir Beqaj dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë paracaktuar fituesin e tenderit që do të bëhej. Në të gjitha rastet fitues ka dalë restoranti i Ilir Beqajt ‘Gzona’ që ndodhet tek kalaja e Tiranës.
Pjesë nga njoftimi i SPAK:
Në analizë të provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se: 1. Personi nën hetim I. B. në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut duke vepruar si urdhërues në bashkëpunim me personin nën hetim E. K., i emëruar nga vetë personi nën hetim I. B. në datën 26.05.2022 si koordinator i zyrës “Facility Point” për projektin EUSAIR, në SASPAC, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregullat “PRAG” të përcaktuara në “Rregullat e Zbatimit të Rregullores Financiare”, të aplikueshme për të gjitha kontratat e ndihmës së jashtme të BE-së të financuara nga Buxheti i Përgjithshëm i BE-së dhe Fondi i 10-të Evropian i Zhvillimit (EDF) dhe të detyrueshme për t’u zbatuar sipas nenit 5 gërma “c” të ligjit nr. 37/2015 “Për Ratifikimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Komisioni Evropian për Rregullat e Zbatimit të Mbështetjes Financiare Të BE-së për Shqipërinë, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA II)”.
Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese.
Këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkuruese apo prokurim të thjeshtë, të cilat janë urdhëruar për t’u kryer nga personi nën hetim I. B. në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili ka nënshkruar që nga rënia dakord për të kryer shërbimin e caktuar, tek ftesat që i’u janë dërguar subjekteve për të paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar fituesit pas vlerësimit deri tek lidhja e kontratës, dokumenta këto të hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i kontratës.