Demokratët Euroatlantikë zhvilluan sot mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ku u diskutuan pikat për vijimin e aksionit politik. Në rezolutën e miratuar, demokratët Euroatlantikë nënvizojnë se nuk do heqin dorë nga iniciativa për rekurs në Gjykatën e Lartë të vendimit për vulën dhe bëjnë thirrje për zbardhjen sa më të shpejt të vendimit të Gjykatës së Apelit.
Gjithashtu Demokratët Euroatlantikë mbeten të angazhuar që shqiptarëve t’u paraqitet alternativa e tyre në zgjedhjet e ardhshme me çdo kusht.
Këshilli Kombëtar gjithashtu inkurajon organet drejtuese dhe mbështet zhvillimin e dialogut dhe aleancave me të gjithë faktorët shoqërorë dhe politikë që bashkëndajnë vlerat dhe vizionin e Demokratëve Euroatlantikë, për bashkëpunimin para dhe pas zgjedhor, me qëllim dhënien fund të tranzicionit tëtejzgjatur.
Mw 1 korrik Flamur Noka i ka dërguar një letër Lulzim Bashës. ku i kërkon që të mos-përdorë simbolet e PD pas vendimit të Apelit. Madje Noka e ‘kërcënon’ duke thënë që përdorimi i simboleve dhe aseteve të Partisë Demokratike përbën kundravajtje ligjore dhe do të ndiqen penalisht.
Në letër kërkohet, që brenda 3 ditëve të dorëzohet çdo aset i Partisë Demokratike, ku përfshihen ambinetet e mara me qira, llogari bankare si edhe faqet zyrtare të PD në rrjetet sociale.
Më 11 qershor, Gykata e Apelit i dha vulën e Partisë Demokratike ish-kryeministrit Sali Berisha. Trupa gjykuese vendosi të mos pranojë ankimimin e Enkelejd Alibeajt duke lënë në fuqi vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri.
QËNDRIME POLITIKE / REKOMANDIMET E KESHILLIT KOMBETAR
Të bindur se vlerat themelore dhe identitare të Demokratëve Euroatlantikë nuk mund të tjetërsohen nga përbetime kundër interesit kombëtar, në mbrojtje të status quo-së dekadente në të cilën një grusht i vogël njerëzish kërkojnë ta mbajnë me çdo kusht Shqipërinë;
1. Këshilli Kombëtar i bën thirrje strukturave drejtuese të çojnë përpara aksionin ligjor për kthimin e simboleve të Partisë Demokratike, duke ndjekur rekursin pranë Gjykatës së Lartë për vendimin e padrejtë dhe të paligjshëm të 11 Qershorit, si dhe mbështet angazhimin për të bërë drejtësi deri në hallkat më të larta të sistemit juridik europian.
2. Këshilli Kombëtar i bën thirrje Gjykatës së Apelit për zbardhjen sa më parë të vendimit të 11 Qershorit, duke i kërkuar përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë ta trajtojnë me prioritet dhe ndjeshmëri të lartë këtë çështje.
3. Këshilli Kombëtar nxit strukturat drejtuese të vazhdojnë përgatitjet për përballjen e ardhshme elektorale, duke përfaqësuar me çdo kusht alternativën e Demokratëve Euroatlantikë në zgjedhje;
4. Këshilli Kombëtar inkurajon organet drejtuese dhe mbështet zhvillimin e dialogut dhe aleancave me të gjithë faktorët shoqërorë dhe politikë që bashkëndajnë vlerat dhe vizionin e Demokratëve Euroatlantikë, për bashkëpunimin para dhe pas zgjedhor, me qëllim dhënien fund të tranzicionit të tejzgjatur.
5. Këshilli Kombëtar mbështet veprimtarinë e Harkut Opozitar Euroatlantik dhe nxit forcimin dhe zgjerimin e Aleancës Qytetare për Demokracinë, si platforma bashkëpunimi që synojnë forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, ndarjen e pushteteve, lirisë dhe konkurrencës ekonomike.
6. Këshilli Kombëtar i bën thirrje strukturave drejtuese të Demokratëve Euroatlantikë të të gjitha niveleve të vijojnë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke nxitur një debat kombëtar mbi programin e shpalosur në Kuvendin Programor të 1 qershorit 2024.
7. Këshilli Kombëtar mbështet me vendosmëri përpjekjet serioze të SPAK dhe GJKKO për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe dënon ashpërsisht sulmet verbale dhe institucionale si dhe çdo tentativë publike dhe jopublike për të cënuar veprimtarinë e SPAK dhe GJKKO në përballjen pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të kudogjendur.
8. Këshilli Kombëtar i cilëson SPAK dhe GJKKO si investimet më të mëdha të shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë për ta nxjerrë Shqipërinë nga bataku 34-vjeçar i tranzicionit dhe rikonfirmon mbështetjen pa kushte për organet e reja të drejtësisë duke ritheksuar edhe njëherë angazhimet konkrete përmes nismave ligjore të depozituara tashmë në Kuvendin e Shqipërisë, të cilat synojnë forcimin e tyre.
9. Këshilli Kombëtar dënon zvarritjen e qëllimshme të Reformës Zgjedhore nga Partia Socialiste dhe deputetëve të zgjedhur me vota opozitare, duke i cilësuar këto veprimtari si anti-demokratike dhe në papajtueshmëri flagrante me kërkesat e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë për lista të hapura, votën e diasporës, numërim dhe votim elektronik dhe barazinë e votës, duke e konsideruar bllokimin e paarsyeshëm të projektligjeve të depozituara në Kuvendin e Shqipërisë nga Demokratët Euroatlantikë për Reformën Zgjedhore si një dëshmi flagrante e një pakti antihistorik dhe antidemokratik për të mbrojtur ndryshimet kushtetuese famëkeqe të 2008-ës.
10. Këshilli Kombëtar i Demokratëve Euroatlantikë i bën thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike të mos pajtohen me paligjshmërinë dhe vendimet e padrejta përmes të cilave synohet asgjësimi i forcës së parë properëndimore të Shqipërisë, që e kthejnë atë në aneks të qeverisë të korruptuar dhe në një strukturë anti-perëndimore në funksion të kastës 34-vjeçare, si dhe apelon për bashkimin rreth vlerave më të mira për t’u ndarë njëherë e mirë nga e shkuara e korruptuar, për të ndërtuar së bashku një të ardhme europiane, të vetëdijshëm më shumë se asnjëherë më parë se Shqipëria meriton më shumë.
KONKLUZION
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë – Demokratët Euroatlantikë, duke marrë në konsideratë të gjitha çështjet dhe sfidat e përmendura në këtë rezolutë, riafirmon përkushtimin për të mbrojtur interesat kombëtare dhe të qytetarëve shqiptarë. Ne jemi të vendosur për të luftuar kundër korrupsionit, për të forcuar institucionet demokratike dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë përmes reformave të nevojshme. Ne do të vazhdojmë të mbështesim aleancat strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe, duke punuar për një Shqipëri të drejtë, demokratike dhe të zhvilluar. Ne i bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë të bashkohen në këtë përpjekje të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur dhe për të përmbushur potencialin e jashtëzakonshëm të vendit tonë.