Piu fostoksinë para SPAK-ut, ndërron jetë në spital 63-vjeçari nga Lezha, Pal Trashaj.


Burime nga QSUT bëjnë me dije për ZËRI-n, se Trashaj nuk ka mundur që të mbijetojë, pasi u dërgua dje pak pas mesdite në spital, pasi kishte pirë fostoksinë në hyrje të SPAK. Prej kohësh ai kërkonte një takim me kreun e SPAK Altin Dumani, për t’i shpjeguar atij, të gjithë zhvatjen që i ishte bërë nga institucionet e mikrokredive.


ZËRI mëson se Pal Trashaj kishte pasur një kredi të mbetur që nga viti 2008, në vlerën e 760 mijë lekë të vjetra (76 mijë lekë të reja). Kredinë e kishte blerë MCA e cila kërkonte 4.8 milion lekë duke bllokuar për 5 vjet gjithçka: shtëpinë, tokën, makinën dhe pagën ku punonte.

Trashaj njihej si historian në qytetin e Lezhës, ndërsa prej vitesh kishte denoncuar skandalin e mikrokredive, pa mundur që zëri i tij të dëgjohej. Edhe dje thirrjet e tij dhe lutjet e vazhdueshme për të takuar kreun e SPAK Altin Dumani ranë në vesh të shurdhët, derisa 63 vjeçari mori vendimin ekstrem për t’i dhënë fund jetës.