Nëntë vjet pasi dha dorëheqjen si drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, rikthehet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Artan Didi. Kësaj here, drejtuesi i parë i policisë pas marrjes së pushtetit në 2013-ën të socialistëve, ka shfaqur interes për drejtimin e Gardës së Republikës.


Ky institucion prej 5 muajsh është pa drejtues, pas dorëheqjes nga detyra të Gramos Sakos, i cili e drejtonte prej shtatorit 2013, si një ndër drejtuesit me jetëgjatë të post-komunizmit. Artan Didi, është në mesin e 6 kandidaturave që kanë shfaqur interes për garën e kreut të ri të Gardës. Bashke më të janë edhe Dritan Osmani, Krenar Carçani, Klajdi Hajredinaj, Ermal Onuzi dhe e vetmja grua, Jona Lamko.

Për herë të parë, kreu i Gardës bëhet me konkurs, ndërsa aplikimet janë mbyllur në datën 26 qershor me këto 6 kandidatura. Aktualisht, burime pranë Ministrisë së Brendshme bëjnë me dije se kandidatët janë në proces vlerësimi që pritet të përfundojë brenda 45 ditëve. Komisioni vlerësimit do të rendisë kandidatët dhe do t’ia paraqesë Ministrit të Brendshëm, i cili kandidatin më të vlerësuar ia kalon Kryeministrit për emërim.


Në mesin e 6 kandidatëve, më i kuotuari mbetet Artan Didi, por kjo pritet të shihet pas vlerësimit të secilit. Në 2015-ën Didi u largua nga drejtimi i bluve pas diskutimeve se në atë kohë shkak u bë shkelja e procedurave ligjore të shefit të Interpolit, Artan Bajraktari dhe vartëses së tij, Loreta Alla, të arrestuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm për çështjen e ekstradimit të deputetit, Mark Frroku, të cilët më vonë morën pafajësi.

Kandidatët
Artan Didi
Dritan Osmani
Krenar Carcani
Klajdi Hajredinaj
Ermal Onuzi
Jona Lamko