Një në pesë shqiptar është mbi moshën 65 vjeç, nga 1 në 9 që ishte në 2011-ën apo 1 në 14 që ishte në 2001-shin. Këto shifra të bëra publike në CENS 2023, tregojnë realitetin e hidhur të plakjes së popullsisë, që sipas ekspertëve është pasojë e emigrimit masiv dhe uljes së lindshmërisë.


“Plakja e popullsisë është problem, që duhet të merret jo kjo qeveri por të gjitha qeveritë e botës. Afro 83-84% e efektit të plakjes së popullsisë vjen nga emigracioni. Për herë të parë pas viteve 90’ ne shohim një përmirësim të jetëgjatësisë mbi moshën 70 vjeç, edhe mbijetesa e gjatë, ka ndikuar në Shqipëri ka ndikuar plakjen e popullsisë”, tha eksperti i demografisë, Arjan Gjonçaj.

Shifrat që tregojnë më shumë të moshuar dhe më pak të rinj në vend, sipas ekspertëve kërkojnë reagim të shpejtë nga shteti.


“Ne s’kemi fuqi punëtore. Problemi i dytë është kujdesi shoqëror, kush do të kujdeset për to ne nuk e kemi traditë mbajtjen institucionale të moshës së tretë. Ta dërgosh në azil është e paimagjinueshme për kulturën tonë. Së treti me plakjen e popullsisë shtohen sëmundjet kronike”, tha eksperti Gjonçaj.
“Kjo humbje e trurit duhet të zëvendësohet dhe për këtë duhet të ndërmerren politika më sociale, dhe mos të japësh vetëm bonus për beben, por edhe garanci pa interes për çiftet e reja apo politika të tjera”, tha ekspertja Emira Galanxhi.


Sipas të dhënave të CENS-it, afro 20% e popullsisë së vendit është mbi 65 vjeç, ndërkohë mosha mesatare në raport me vitin 2011 është rritur me 7 vite, dhe aktualisht është 42 vjeç. Në konferencën e realizuar nga INSTAT, mbi CENS-in këtë të hënë, drejtoresha Elsa Dhuli hodhi poshtë të gjitha akuzat për vërtetësinë e shifrave dhe për pretendimet që jemi më pak se 2.4 milionë banorë.
“Ne jemi shumë transparent në ofrimin e shifrës që kemi publikuar lidhur me popullsinë banuese”, tha Dhuli.
Drejtuesja e INSTAT sqaroi gjithashtu se edhe raportet e punësimit të këtij viti që duhet të ishin publikuar po shtyhen në kohë pasi do të përditësohen me numrin e ri të popullsisë, për të pasur një panoramë më të saktë mbi fuqinë punëtore të Shqipërisë, numrin e të punësuarve apo të të papunëve.
“Duke u nisur nga fakti që ne kryem censin e popullsisë dhe banesave gjatë vitit 2023 ne tani do të vazhdojmë me llogaritjen e popullsisë në 1 janar 2024, që do të marrë në konsideratë rezultatet e cens. Nuk mund të publikonim të dhënat e para të punësimit, duke u bazuar në një popullsi të vjetër ose të bazuar në burimet administrative që erdhi pas cens 2011, ndërkohë që sipas cens 2023 kemi një shifër më reale, që do të përdoret në statistikat e punësimit”, tha Dhuli.