Investimet strategjike tashmë po i drejtohen pjesës veriore të vijës bregdetare shqiptare. Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi statusin “Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë” për një projekt në zonën e Shëngjinit, i cili do të zhvillohet në pronë private.


Bëhet fjalë për subjektin Dukagjini Group sh.p.k që sipas projektit të paraqitur në KIS parashikon ndërtimin e një resorti turistik, ku do të ketë një hotel me 5 Yje me 140 dhoma si dhe njësi akomoduese, së bashku me ambiente shërbimi si restorante, kazino dhe park ujor në Bashkinë Lezhë.

“Vlera e investimit për projektin e propozuar parashikohet të jetë 70,200,000 Euro (shtatëdhjetë milion e dyqind mijë) Euro dhe numri i të punësuarve parashikohet të jetë 218 (dyqind e tetëmbëdhjetë) punonjës.


Projekti do të realizohet në një sipërfaqe totale prej 59,014 m2, në ZK 2568, Shëngjin, Bashkia Lezhë, pronë private, përkatësisht parcelat me nr. 1016/7, nr. 1017/5, nr. 1017/8, nr. 1016/8, nr. 1000/45” thuhet në dokumentin e KIS.

Lidhur me statusin specifikohet se ai i jepet subjektit për një periudhë 3-vjeçare duke specifikuar më vete se cili do të jetë lloji i mbështetjes që merret.

”Në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike, përkatësisht neni 21 dhe neni 24 i Ligj Nr.55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, masat mbështetëse që i jepen projektit janë si më poshtë:

a) Miratohet masa mbështetëse e kryerjes së procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike;

b) Miratohet masa mbështetëse e asistencës në lidhje me dhënien e lejeve, licencave dhe autorizimeve të nevojshme për realizimin e projektit, në përputhje me afatet e parashikuara sipas legjislacionit të investimeve strategjike;

c) Miratohet e drejta askses në infrastrukturë mbështetëse në bazë të legjislacioneve sektoriale” thuhet në dokument.

Nuk pranohen kërkesat për resorte në Golem, Spille dhe Jug

Mbledhja e fundit e KIS nuk ka pranuar disa kërkesa për zhvillime resortesh në zonën bregdetare nga Golemi e deri më poshtë në Jug si në Llaman apo Livadh.

Konkretisht KIS nuk ka pranuar kërkesën për projektin “Playa y Mas” në Golem ku parashikohen ndërtimin e resorti turistik, ku do të ketë një fshat turistik dhe një hotel me 5 Yje me ambiente shërbimi në një sipërfaqe prej afërsisht 168,195 (njëqind e gjashtë dhjetë e tetë mijë e njëqind e nëntëdhjetë e pesë) m2 me një vlerë investimi 110 mln euro. Sipas argumentit projekti në fjalë prek pasurinë ‘ranishte”.

Një tjetër kërkesë që nuk u pranua është ajo për projektin ““Kampingu pa emër – Guri Lëmuar” konsiston në ndërtimin e një agroturizmi, kamping me vila druri dhe vende për kampera e tenda, serë, shërbim tregu fruta -perime nga produkte të zonës në ZK 2099, në Guri Lëmuar, Spille. Në këtë rast argumenti është që projekti shtrihet në një zonë “pyll” dhe ka nevojë që të rishikohet plani i detajuar për zonat me rëndësi kombëtare.

KIS nuk ka pranuar as kërkesën për një resort në gjirin e Llamanit. “Projekti i investimit parashikon ndërtimin e resortit turistik, ku do të ketë një hotel me 5 Yje si dhe njësi akomoduese vila, së bashku me ambiente shërbimi si restorante, SPA, zonë eventesh, pishinë dhe akuapark në një sipërfaqe prej afërsisht 101,288 m2, Bashkia Himarë. Vlera e investimit për projektin e propozuar parashikohet të jetë 63,246,500 Euro”. Sipas KIS zona e projektit nuk ka një regjistrim fillestar në kadastër, mosregjistrim i cili pengon marrjen e veprimeve të mëtejshme ligjore nga ana e institucioneve

Kërkesa e fundit e rrëzuar është ajo për një projekt në zonën e Livadhit. Projekti i investimit parashikon ndërtimin e një strukture akomoduese, ku do të ketë një hotel me 60 dhoma, me ambiente shërbimi si bare dhe restorante, ambiente rekreative si pishina, ambiente çlodhjeje, zona të gjelbëruara dhe parkim në Bashkinë Himarë. Vlera e investimit për projektin e propozuar parashikohet të jetë 17,800,000 Euro (shtatëmbëdhjetë milion e tetëqind mijë) Euro dhe numri i të punësuarve parashikohet të jetë 80 punonjës.

Sipas KIS, projekti i investimit nuk mund të realizohet deri sa të qartësohet dhe plotësohet informacioni i vënë në dispozicion nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë. 3.


Në këtë zonë vazhdon procesi i regjistrimit të Akteve të Marrjes të Tokes në Pronësi / Përdorim (AMTP), në referencë të ligjit nr 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, si pasojë nuk ka informacion lidhur me rregjistrimin e këtyre AMTP-ve./ Monitor