Situata nga hedhja e mbeturinave në brigjet e lumit Kir pranë Varrezave të Dëshmorëve në Shkodër çdo ditë e më shumë vjen duke u përkeqësuar.

Grumbujt e mbeturinave gjenden kudo përreth varrezave duke u kthyer kështu në një problem serioz. Përreth vendit ku depozitohen tonelatat e mbetjeve jetojnë një numër i konsiderueshëm familjesh, të cilat çdo ditë përballen me këtë situatë.

Disa herë institucionet kanë ndërmarrë nisma të ndryshme për pastrimin dhe moslejimin e hedhjes së mbetjeve, por nuk kanë zgjatur për shumë kohë pasi situata është rikthyer sërish si më parë. Përveç rrezikut që përballen banorët nga prania e mbeturinave, aty ndodhen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut duke treguar një mungesë respekti totale për kontributin e atyre të cilët prehen në atë vend.

Po ashtu pjesa më e madhe e mbetjeve përfundojnë në shtratin e lumit Kir, i cili kalon aty duke e ndotur gjatë gjithë vitit. Hedhja e mbeturinave në periferitë e qytetit të Shkodrës është kthyer në një shqetësim që vijon prej vitesh.