Kryeministri Edi Rama ndodhet në Theth për të dorëzuar 200 certifikata pronësie. Rama tha se problematika për t’u pajisur me tapitë do të marrë fund.


“Shtëpitë e trashëguara s’ka qenë e mundur të marrin hipotekën si rezultat i shtrëngimeve të tjera ligjore që ka zona. Ajo që ka rëndësi është që sot janë 200 tituj pronësie që janë këtu. Për 40 të tjera, Bashkia e Shkodrës do duhet t bëjë studimin e zonës, çështje e natyrës ligjore dhe Beneti do ta përfundojë brenda muajit shtator, për 50 tituj të tjerë është problematika e ndërtimit në pronën e tyre, por përtej afatit të lejuar nga ligji ekzistues për legalizimet. Do gjejmë një zgjidhje që do jetë e dedikuar për të gjithë ata që janë në këto kushte, ku pamundësia e marrjes së një leje ka qenë objektive”, tha Rama.
Ndërkohë, kreu i qeverisë lajmëroi se do të falen të gjitha gjobat që janë vendosur për ndërtime pa leje, duke thënë se nuk kanë qenë abuzive, por për shkak të shtrëngimit që ka ligji duke qenë se zona e Thethit futet në zonën e mbrojtur. Shigjetime pati edhe për demokratët që kanë drejtuar historikisht Shkodrën, duke thënë se në kohën e tyre vëmendja e bashkisë për Thethin ka qenë zero.

“Ka një masë shumë të madhe gjobash si rezultat i ndërhyrjeve apo ndërtimeve aty ku keni pasur shtëpinë e vjetër apo truallin tuaj, që janë bërë për shkak të nevojës për të krijuar ekonomi përmes turizmit. Dhe që nuk janë ndërtuar sipas ligjit sepse shtrëngimi i legjislacionit për këtë zonë që figuron si zonë e mbrojtur natyrore e ka bërë të pamundur, qeveria do t’i falë gjithë gjobat. Nuk janë tipikisht ndërtime të bëra abuzivisht për t’iu shmangur ligjit, janë ndërtime të bëra nga nevoja. Në kushtet e pamundësisë ligjore, njerëzit kanë vazhduar t’i bëjnë. Kjo s’do të thotë që kush do vërë një gru pa leje më tutje do tolerohet, kjo do të thotë që në atë fazë kur kjo ka ndodhur s’ka pasur vëmendje nga bashkia, zero”, tha Rama.