Teksa ndante titujt e pronësisë për zonën e Thethit, kryeministri Edi Rama bëri thirrje për investime në agroturizëm në këto zonë, duke apeluar që të kthen në Shqipëri edhe ata që kanë emigruar jashtë.
“Shefat e kuzhinës këtu në Theth marrin deri në 2 mijë euro pagë në muaj, por nga ana tjetër këtu nuk ka as nevojë të ketë një shtëpi me qira, siç e ka kur punon në Greqi, as të paguajë taksa, apo të përdorë makinën për të shkuara në punë, dhe në fund të muajit edhe të ngrënën e të pirën e ka këtu, dhe i mbeten gjithë ato lekë.
Llogaria është e bërë për të gjitha ata që duan ta bëjnë llogarinë duke parë faktet, ata që e bëjnë duke parë televizor, nuk u del kurrë llogaria. Do t’u prezantojmë dhe planin e investimeve të reja që do bëjmë këtu. Një plan nga bashkia i punuar me një grup arkitektësh të talentuar dhe kemi përgatitur edhe fondin e nevojshëm.
Besoj se e sotmja e Thethit dhe e çdokujt që investon në agroturizëm në Shqipëri është shumë e qartë, dhe e nesërmja pas 4-5 vitesh do të jetë e jashtëzakonshme. Numri i turistëve e shihni që po rritet në mënyrë mbresëlënëse, por duhet të kuptojmë që atyre duhet t’u japim cilësi dhe që nuk i gjejnë dot kund tjetër. Për këtë na duhet bashkëpunim, që turistët të mos na kthehen më, e të thonë që shërbimi është i dobët”, u shpreh kryeministri.
Ndërkohë, titullin e pronësisë e mori edhe kisha e Thethit, teksa Rama duke ia dorëzuar priftit aktin, nuk i kurseu batutat.
“Atyre të PD u ka ra sakica në mjaltë kur thoni ju, se për punë kanë sherrin, kurse punët e tyre i bëjmë ne, kështu që në rregull janë ata. Kur kishin partinë e tyre rrinin ngroheshin në diell dhe luftonin komunizmin, tani që s’kanë partinë kanë ne, dhe ua bëjmë ne punët. Partitë shkojnë e vijnë, përveç kësaj tonës…. po erdhi ndonjë i PD të thotë jam prifti, thuaj ‘jo mo vëlla se jam unë se kam titullin’”, tha Rama.