Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e biznesmenit Pëllumb Gjoka për revokim të masës së sigurisë.
Vendimi u mor nga trupa e gjykimit e përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici. Gjoka kundërshtonte vendimin e Apelit të Posaçëm për lënien në fuqi të masës “arrest në burg”.
“Trupi gjykues vendosi Mospranimin e rekursit të paraqitur nga kërkuesi Pëllumb Gjoka, kundër vendimit nr. 30 (87-2023-45), datë 15.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin te Organizuar.”– thuhet në njoftim.
Biznesmeni u arrestua si i përfshirë në dosjen e bujshme “Metamorfoza”, pasi nga hetimet rezultoi se bashkëpunonte me personazhe të njohur të botës së krimit.
Nxjerrja e të dhënave nga hetuesit francezë të dosjes së grupit “Bajri” dhe transferimi i tyre në Shqipëri zbardhi rolin e Ervis Martinaj e biznesmenit Pëllumb Gjoka në porositjen e vrasjes së Gjin Ndojit për 110 mijë euro.