Shkodër

Vijon me intensitet nga ajri dhe nga toka, megaoperacioni policor anticannabis, i koduar “Territor i pastër”.

Kjo fazë e megaoperacionit u zhvillua në zona me terren të vështirë ku ndërhyrja e forcave të Policisë u krye nga ajri me helikopterin e Forcave Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjatë kësaj faze u angazhuan 80 punonjës të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër.

Asgjesohen 13 194 fidanë e bimë kanabis( 6500 fidanë dhe 6694 bimë kanabis)


Bazuar në koordinatat e siguruara me parë nga monitorimet me dron të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, është bërë e mundur që nëpërmjet disa fluturimeve me helikopterin e Forcave Ajrore, 80 punonjës policie të kryenin kontrolle në vendin e quajtur “Rrethi i Brashtës”

Gjatë kontrolleve në këtë zonë u gjetën dhe u asgjësuan 13 194 fidanë e bimë narkotike cannabis sativa.

Ndërkaq, gjatë fazave të mëparshme të megaoperacionit “Territor i pastër”, përgjatë këtij 6-mujori, shërbimet e DVP Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, kanë asgjësuar rreth 137140 fidanë e bimë narkotike cannabis sativa, si dhe kanë arrestuar dhe proceduar 41 shtetas.

Operacioni nga ajëri dhe toka do vijojë

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër Shkodër mbetet e përkushtuar në luftën kundër kultivimit të cannabisit dhe veprimtarive të tjera kriminale që cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.

Policia e Shtetit inkurajon të gjithë qytetarët që të denoncojnë në njësitë fizike të Policisë dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie që ata hasin.