Piranjat kanë reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi ligjin për tatimin e profesioneve të lira. Me anë të një reagimi në Facebook, Piranjat të cilat organizuan dhe një protestë kundër këtij ligji, e kanë konsideruar vendimin e GJK-së si një fitore. Po ashtu ata kanë dhënë dhe një mesazh për shqiptarët, në mënyrë që të luftojnë për të drejtat e tyre.


Reagimi i Plotë:

Sot Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin për tatimin e profesioneve të lira. Ky është një lajm i mirë për të gjithë ne. Piranjat e kanë kundërshtuar gjithnjë këtë ligj, madje kanë organizuar edhe një protestë qytetare në kundërshtim të tij. Ne falenderojmë të gjithë qytetarët, profesionistët të cilët morën pjesë në protestë. Kjo është një fitore e të gjithëve dhe një mesazh i fortë për shoqërinë shqiptare, që për të drejtat e tua ia vlen të reagosh dhe që bashkë mundemi. Falenderojmë të gjithe përfaqësuesit e shoqërisë civile për mbështetjen dhe përfaqësuesit e të gjitha partive politike: Nisma Thurje, Shqipëria Bëhet, Lëvizja Bashkë, Mundësia, Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë. Piranjat do të jenë gjithmonë në krah të qytetarëve për kauzat e tyre!