Bashkëshortja e ish-Ministrit Saimir Tahiri, Fatlinda Berisha Tahiri ka rrëfyer historinë e nënës së saj, e cila ka humbur jetën nga kanceri. Me anë të një postimi në Facebook, Berisha Tahiri ka treguar përballjen e saj të shumtë me këtë lloj sistemi të shëndetësisë në Shqipëri, e cila dhe i kushtoi jetën nënës së saj.
Ndërkohë që ka treguar historinë e nënës së saj, Tahiri ka folur dhe për një njeri tjetër të rëndësishëm të familjes së saj, që vuan nga një sëmundje e rëndë dhe sipas mjekëve duhej trajtuar me paracetamol. Në fund të rrëfimit, ajo e mbyll me një ironi ndaj Ilir Beqaj, ish-ministrit socialist të Shëndetësisë, ku përdor shprehjen që iu zbulua në një përgjim të tij kur mbante detyrën si ministër.
Postimi i Plotë:
Ishte viti 2006. Asokohe 51 vjeçe, ime më, u diagnostikua me melanomë (kanceri i lëkurës) i kapur në gradën 2-3, në gjuhën e mjekëve, jo vonë. Mblodhëm forcat familjarisht të bënim më të mirën. Kontaktuam me mjeken e cila e diagnostikoi në Spitalin Onkologjik, e që vazhdon ende të jetë në detyrë. Tronditja ishte e madhe, nxitimi për ta zgjidhur akoma më i madh. Mendja na punonte vetëm për të fituar kohë, e për ta shpëtuar.
Doktoresha nuk e bëri dysh e na çoi menjëherë tek klinika e saj private. Një kotec i vockël, që klinikë nuk mund të quhet. Aty kryem operacionin e parë e na duhej të operohej sërish, ndaj u bë edhe operacioni i dytë, në po të njëjtin vend të vockël e të mjeruar. Ata qe e dijne, kuptojne qe as biopsi e asgje nuk beheshin ketu, por niseshin jashte e pergjigja vinte shume vone, duke humbur kohe te vyer.
Nejse, doktoresha me te mbaruar operacioni, erdhi vetë personalisht të merrte lekët në dorë, menjëherë….pa humbur asnjë sekondë. Arroganca dhe sjellja e saj, në fakt na dukej halli më i vogël. Justifikonim veten, të paktën po na shpëton jetën e time mëje mendoja, e lekët që gati sa nuk na i merrte nga xhepi, na dukeshin hiçgjë. Përshkroi edhe një medikament, për të cilin që në momentin e parë na tha se këtu nuk gjendej. Kuptohet ne e gjetëm medikamentin dhe filloi trajtimin. Për pak kohë situata u përkeqësua dhe u nisëm jashtë. Mjeku sapo pa të dhënat e analizat na tha se ishte tepër vonë, e se nuk kishim më asgjë për ti bërë. Unë këmbëngulja që kishim shkuar në kohë, por ai vetëm çuditej me çfarë dëgjonte prej meje.
Aty kuptuam se e gjitha mund të ishte parandaluar. Ndërhyrja ishte bërë keq, gabim. Edhe trajtimi më pas ishte bërë gabim. Çdo gjë ishte bërë gabim. E të mendosh që ne paguam, jo pak… por jetën e saj e humbëm, sot e 15 vjet më parë. Kush nuk do paguante për shëndetin? Apo për ti shpëtuar jetën prindit, fëmijës, vetes? Të gjithë do paguanim, por sot, 15 vjet me pas po paguajmë këta vrasës me pagesë, që ua njohim fytyrat e ua dimë zanatin.
Unë jetën e time mëje nuk e shpëtova dot, dhe pse iu nënshtrova “rregullave” kriminale të asaj që ishte mjekja, e që jemi nënshtuar të gjithë kolektivisht, si delet para kasapit, me kokën rruar e qafën zgjatur duke pritur thikën në grykën e radhës.
Nuk shpëtova dot as jetën e dikujt tjetër shumë të rëndësishëm në familjen time, sepse sërish dëgjova mjekun që edhe pse e dinte që vuante nga sëmundje e rëndë, më thoshte trajtoje me paracetamol, duke humbur kohë të vyer në dobi të vdekjes.
Mos të vazhdoj më me keqdiagnostikimet, mungesën e profesionalizmit dhe etikës, trajtimin skandaloz “me mik”, se e kam listën shumë të gjatë, per fatin tim te keq… Deri atëherë përqafoni prindërit, fëmijët e këdo dashuroni në këtë botë, me shpresën se nuk do bëheni për spital. Po ju ndodhi, SUKSESE NË JETË!