Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith ishte në Shkodër ku mori pjesë në një aktivitet të organizuar për Festën Britanike të Çajit.
Në fjalimin e tij, Smith konfirmoi marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Britanisë, ndërsa fokusin e vendosi edhe tek të rinjtë.
Ambasadori renditi mbështetjen që ka dhënë Britania për vendin tonë, ndërsa tha se shumë të rinj mendonin se mundësia e vetme dhe më e mirë ishte të linin Shqipërinë. Por sipas tij, ky mendim ka ndryshuar duke shtuar lodhjet dhe partneritet mes dy vendeve dhe duke oftuar më shumë mundësi për të rinjtë.
“Shumë të rinj, veçanërisht nga veriu mendonin se mundësia e vetme dhe më e mirë ishte ta linin Shqipërinë dhe të udhëtonin në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar. Pjesërisht, kjo është si pasojë e ndikimeve sfiduese të pabarazisë së zhvillimit, në të gjithë vendin.Falë ndihmës tuaj, nisëm ta ndryshojmë këtë duke krijuar partneritete të reja për të shtuar lidhjet e biznesit, arsimit dhe ato kulturore mes Mbretërisë së Bashkuar dhe veriut të Shqipërisë”, tha ambasadori.
Ambasadori renditi mbështetjen që Britania ka dhënë për të rinjtë, ndonëse ende thotë se ka shumë para për të mbështetur të rinjtë, pasi dy e treta e të rinjve ende synojnë largimin nga Shqipëria.
Ne kemi ngritur Qendrat e Sipërmarrjes Rinore në Kukës, Has, Tropojë dhe Dibër, plotësisht të financuara nga Mbretëria e Bashkuar. Këto po ndihmojnë të rinjtë të njohin çfarë mundësish kanë, ku mund të shkojnë të kërkojnë punë, ku mund të konsultohen për karrierën e tyre dhe cilat janë trajnimet dhe bursat e studimit që u ofrohen.
Ne kemi fuqizuar mbi 1000 të rinj, aspirantë dhe sipërmarrës të rinj, përmes programit të mentorimit për mikro-biznesin, përfshirë kodimin dhe marketingun digjital.
Ne kemi fuqizuar 674 të rinj më aftësi sipërmarrëse dhe punësimi dhe si rezultat, 120 prej tyre kanë siguruar vende pune dhe 52 kanë nisur bizneset e tyre.
Kemi investuar në IT dhe laboratorë të teknologjisë, biblioteka dhe shërbime të këshillimit të karrierës në pesë shkolla, duke fuqizuar kësisoj një total prej 2830 studentësh.
Kemi garantuar 120 bursa studimi për trajnime profesionale dhe programe të arsimit të lartë.
Këto shifra dëshmojnë progresin e vërtetë që kemi arritur, por më shumë, janë historitë që dëgjojmë prej të rinjve dhe familjeve të tyre, se si e gjitha kjo, i ka ndihmuar të arrijnë sukses në Shqipëri, të mos detyrohen të emigrojnë.