Katër banesa janë djegur në lagjen ‘Skënderbeg’ në Shkodër. Flakët nisën nga një banesë 2-katëshe më pas zjarri u përhap duke djegur edhe 3 shtëpi ngjitur, njëra e pa banuar.

Zjarri nisi rreth orës 00:50 në banesën e një 51-vjeçari. Familjarët kërkojnë ndihmë pasi tani janë në mes të 4 rrugëve.

‘Fle tek një plakë që e mbaj. Veç kur më kanë lajmëruar në 01:30 se është duke u djegur shtëpia. Deri në tre të natës duke salduar rrinë. I ka plas ndonjë oksigjen atje, kanë ikur dritat menjëherë. Flaka e zjarrit na ka djegur shtëpinë, na ka djegur jetën. As pesë minuta nuk kanë vonuar zjarrfikëset’, thotë një nga pronaret e shtëpisë.

Dyshohet se zjarri ka qenë aksidental dhe ka shkaktuar vetëm dëme materiale. 4 zjarrfikëse punuan rreth 3 orë për të shuar flakët


Njoftimi i policisë

‘Rreth orës 00:55, në lagjen “Skënderbeg”, ka rënë zjarr në një banesë dykatëshe në pronësi të shtetasit L .T., 51 vjeç.

Si pasojë janë përfshirë nga zjarri edhe tri banesa të tjera ngjitur me të, në pronësi të shtetasve T. K., L. K. dhe një banesë e pabanuar.

Zjarrfikësit, së bashku me Policinë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë evakuuar banorët dhe kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit.

Nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e shkakut të rënies së zjarrit.’- njofton policia.