Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ende nuk ka arritur që të shpallë zyrtarisht fituesin në garën për rektor. Zgjedhjet u mbajtën më 21 qershor por edhe pse kanë kaluar 5 ditë ende Komisioni Institucional Zgjedhor nuk ka certifikuar zyrtarisht rezultatin e dalë nga këto zgjedhje.


Universiteti i Shkodrës është i fundit në gjithë vendin që nuk ka zyrtarizuar ende rezultatin. Mbledhja e parashikuar një ditë më parë në orën 18:00 e KIZ për t’u zhvilluar dështoi sërish. Edhe kësaj here munguan disa prej anëtarëve të këtij komisioni duke bërë që kjo mbledhje e parashikuar të mos zhvillohet dhe për rrjedhojë është shtyrë ende certifikimi i rezultatit. Në zgjedhjet e 21 qershorit kandidati Tonin Gjuraj mori 93 vota ndërsa rektorja aktuale në detyrë Rajmonda Këçira siguroi 90 vota dhe kandidatja tjetër Nertila Ljarja 9 vota.


Deri më tani KIZ ka bërë shpalljen e tabeleve të rezultateve të 6 fakulteteve por nga ana tjetër këto tabela nuk i ka certifikuar ende me një vendim për të cilin më pas secili kandidat mund të ankimojë në rast se ka pretendime. Nisur nga kjo anomali që nisi menjëherë pas zgjedhjeve dhe vijon edhe sot pas 5 ditësh është ende e paqartë se cila do të jetë zgjidhja për rektorin e ri të universitetit të Shkodrës duke qenë se tashmë ka kaluar edhe afati 48 orësh që është i përcaktuar për shpalljen e rezultatit. Ndodhur në këto kushte në rast se KIZ dhe Komisioni i Apelit bashkë me senatin akademik të universitetit nuk arrijnë sërish që të marrin një vendim atëherë rrezikon që kjo garë akademike të përfundojë në gjykatën administrative për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare.

Dy kandidatët që kanë marrë më shumë vota Tonin Gjuraj dhe Rajmonda Këçira kanë pretendime të ndryshme. Gjuraj pretendon se është fitues sepse ka marrë më shumë vota ndërsa rektorja aktuale në detyrë Këçira nuk e njeh si fitues Gjurajn për shkak se sipas saj duke qenë se ishin 3 kandidatë në garë, fituesi duhet të sigurojë mbi 50% të votave të pedagogëve dhe jo shumicë të thjeshtuar. Kjo betejë akademike do të vijojë përmes këtyre përplasjeve ndërsa është e paqartë se cili do të jetë skenari përfundimtar që do të vendos se kush do të jetë rektori i ardhshëm me mandate 4 vjeçar që do të drejtojë universitetin e Shkodrës. /star plus tv /