Punonjësit e sektorit shtetëror nga 1 korriku, do të kenë një pagë të re. Me vendimin e fundit të qeverisë rriten pagat që nga ushtria deri tek burgjet, arsimi e shëndetësia. Por sa lekë do të marrin shtesë këta punonjës?

Sipas qeverisë rritja për Forcat e Armatosura do të vijojë nga 7% deri në 22%, ku rritja më e madhe do të jetë tek ata që kanë pagën më të ulët. Për zjarrëfikësit është parashikuar rritje pagash deri në 30%, ndërsa për punonjësit e burgjeve rritja nis nga 13% deri në 27%.

Ndërsa për mësuesit rritja është nga 20 mijë lekë deri në 22.8 mijë lekë sipas nivelit arsimor, dhe për punonjësit e shëndetësisë rritet me 20 mijë lekë rroga për mjekët dhe me 15 mijë lekë për infermierët.


RROGAT E REJA TË FORCAVE TË ARMATOSURA
ËSHTË BËHET
Ushtari 58 mijë lekë 71 mijë lekë
Rreshteri 62.660 lekë 80.000 lekë
Majorit 89.440 lekë 107.000 lekë
Koloneli 143.000 lekë 163.500 lekë
Gjenerali 165.000 lekë 190.000 lekë


RROGAT E REJA TË SHËRBIMIT ZJARRËFIKËS
ËSHTË BËHET
Asistent zjarri 46.000 lekë 60.000 lekë
Zjarrfikës 52.500 lekë 65,000 lekë
Kryezjarrëfikës 55.000 lekë 70,000 lekë
Kryeinspektor 74.500 lekë 85.000 lekë
Inspektor 64.200 lekë 75.000 lekë
Komisar 97.500 lekë 105.000 lekë
Drejtues 108.000 lekë 115.000 lekë
Drejtues i pare 120.000 lekë 140.000 lekë
Drejtues i lartë 131.000 lekë 160.000 lekë


RRITJA E PAGAVE NË SHËNDETËSI
Mjekët +20 mijë lekë
Infermierët +15 mijë lekë
Administrata shëndetësore +15-20%



RRITJA E PAGAVE NË ARSIM
ËSHTË BËHET
Mësuesit në arsimin e mesëm të lartë 79 mijë lekë 98.5 mijë lekë
Mësuesit në arsimin e mesëm të ulët 75.8 mijë lekë 96 mijë lekë
Mësuesit në ciklin fillor 72.4 mijë lekë 95.2 mijë lekë

PUNONJËSIT E BURGJEVE
Aspirantët për Policinë e Burgjeve 80% të pagës së inspektorit
Punonjësit e burgjeve rritje nga 6 mijë deri në 33.6 mijë lekë


A do të ketë tjetër rritje pagash për shtetin?

Njëzëri ministrat pas mbledhjes së qeverisë thanë se reforma e pagave për ta çuar mesataren në 900 euro, konsiderohet e realizuar, por theksuan se kjo nuk do të jetë rritja e fundit e rrogave.

“Pagat e Forcave të Armatosura do të rriten çdo vit”, tha Peleshi.


“Unë shpresoj dhe besoj se kjo nuk do të jetë rritja e fundit e pagave”, tha Manja.

Me këtë rritje pagash të miratuar sot (26 qershor 2024) paga mesatare në sektorin shtetëror arrin në 105 mijë lekë. Për këtë rritje të pagave, që është e fundit e reformës së ndërmarrë nga qeveria në vitin e kaluar, vetëm për periudhën korrik-dhjetor 2022 nga buxheti i shtetit do të shpenzohen afro 108 milionë euro për rritjen e pagave. Fatura do të rritet më tej në vitin e ardhshëm pasi për të mbajtur këtë nivel të ri pagash nga buxheti i shtetit do të shpenzohen afro 390 milionë euro.


Paralelisht me këtë rritje, prej 1 janarit 2026, të gjitha pagat e sektorit shtetëror do të indeksohen me normën e inflacionit. Indeksimi i rrogave të administratës do të bëhet një herë në dy vite.