Projekti “Të çelen arkapijat”, frymëzuar nga proza e Migjenit me të njëjtin titull, prezanton një tjetër banesë të vjetër të Shkodrës, si mundësi unike për të eksploruar dhe festuar trashëgiminë tonë kulturore.

Kësaj here është përzgjedhur banesa e familjes Çeka, Monument Kulture, Kategoria I, shpallur në vitin 1963. Banesa ruhet mjaft mirë, përsa i përket strukturës ndërtimore, ku spikasin elemente me vlerë historike, arkitektonike dhe artistike, në pjesën e brendshme dhe të jashtme të banesës.

Banesa e familjes Çeka, gëzon një strukturë solide 250-vjeçare, ndërtuar nga dy ushtarë dibranë, ku si në katin përdhes ashtu edhe në murin rrethues mbizotëron muri prej guri. Me stil oriental, kjo banesë ruan tre mjedise karakteristike me ornamente tradicionale, trapazan, musandër, sënduk paje, tavan i punuar prej druri, oxhak stolisur me ornamente dhe elemente të tjerë përbëres të mjedisit që i përkasin “odës së miqve” të periudhës së shek XVIII-XX.

Ky projekt po zbatohet nga Shoqata M.I.R.A dhe mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në kuadër të thirrjes për mbështetje financiare të projekt-propozimeve në fushën art-kulturë-trashëgimi kulturore.

Projekti shihet si një kthim pas në historinë e qytetit të Shkodrës, në kohën kur nis emancipimi në shoqërinë shqiptare, në fillim-shekullin XX. Çelja e arkapijave shënon një kthesë për shoqërinë e kohës, ndryshim që synon lehtësimin e lidhjeve sociale dhe promovimin e lirisë së grave e vajzave.

“Të çelen arkapijat” është një projekt i shoqatës M.I.R.A, që sjell nga kujtesa në realitet disa nga dyert e familjeve shkodrane. Dyer që jo vetëm fshehin histori, por art, kulturë, trashëgimi, arkitekturë, qytetari, etj./atsh/KultPlus.com