Hedhja e mbeturinave në periferitë e qytetit të Shkodrës është kthyer në një shqetësim që vijon prej vitesh. Vetëm 100 metër pas varrezave të Dëshmorëve e gjithë ajo zonë është e mbushur me mbetje të ndryshme që jo vetëm hidhen pa kriter çdo ditë por shpesh herë edhe digjen nga persona të papërgjegjshëm. Banorët e asaj zone tregojnë se shpesh herë fëmijë por edhe të rritur janë prekur edhe nga sëmundje të ndryshme për shkak të mbeturinave.
Banorët kërkojnë që mbeturinat në zonën pas varrezave të dëshmorëve jo vetëm të pastrohen por edhe të mos lejohet më hedhja e tyre nga persona të papërgjegjshëm.
Përveç rrezikut që përballen banorët nga prania e mbeturinave, aty ndodhen edhe varrezat e dëshmorëve të atdheut duke treguar një mungesë respekti totale për kontributin e atyre të cilët prehen në atë vend. Po ashtu pjesa më e madhe e mbetjeve përfundojnë në shtratin e lumit Kir i cili kalon aty duke e ndotur gjatë gjithë vitit.