Partia Demokratike dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit po mbajnë këtë të premte një tjetër protestë kundër skandaleve të korrupsionit që shkaktoi dosja e drejtorëve hajdutë të Bashkisë, të cilët përmes kompanisë famëkeqe “5D” vidhnin paratë publike përmes tenderave abuzivë.

Opozita u mblodh në orën 11.00 para Bashkisë së Tiranës dhe kjo është protesta e dytë brenda javës, pas asaj të ditës së hënë ku u shënuan edhe përplasje mes policisë dhe protestuesve.

Me t’u mbledhur para Bashkisë, disa prej protestuesve lidhën me litar blloqet e betonit në të cilat janë ngjitur dhe kangjellat e hekurit të kordonit të sigurisë me policët.

Dhe pas kësaj ka nisur breshëria e molotovëve në drejtim të godinës së Bashkisë.

Ndryshe nga 11 protestat e mëparshme, sot demokratët do protestojnë zyrtarisht pas 3 vitesh me flamurin e Partisë Demokratike të rikthyer, sipas tyre, në shtëpi, pas vendimit të Gjykatës së Apelit që i kaloi vulën grupimit të Rithemelimit të drejtuar nga ish-kryeministri në arrest shtëpie, Sali Berisha.

Ndërkaq edhe sot pritet të ketë një numër të madh të efektivëve të policisë të cilët do të krijojnë gardhin në mbrojtje të institucionit vendor, ndërsa të gjithë akset rrugore të kryeqytetit që të drejtojnë tek bashkia do të jenë të bllokuara për lëvizjen e automjeteve.

“Policia e Shtetit bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi të kërkuar nga “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, ditën e sotme, më datë 14 qershor 2024, ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës.

Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, sot, prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore.

Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune”, thuhet në njoftimin e Policisë Tiranë.

THIRRJA E NËNKRYETARIT TË KËSHILLIT BASHKIAK TIRANË

Pak orë para protestës së radhës, një thirrje për bashkim të shtuar të qytetarëve në shesh do të vinte nga nënkryetari i Këshillit Bashkiak Tiranë, Dorjan Teliti, për të kërkuar dorëheqjen e Kryebashkiakut, që sipas tij, fshihet nga përballja me të vërtetën, qytetarët dhe opozitën.